Rrogozhinë-Fier, një rrugë turistike për turp

TTIRANË, 17 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Rruga e famshme Rrogozhinë-Fier, e ndërtuar nga qeverisja e PD-së me 15 kontrata, nuk është rrugë, por një turp.

Kështu deklaroi sot nga Klosi, Kryeministri Edi Rama, duke u ndalur te situata me rrugët që trashëgoi kjo qeveri.

“Si mund të jetë rruga kryesore turistike e vendit, një rrugë ku ecin bashkë turisti me lopën? Kjo është rruga turistike e Saliut”, – tha Rama.

Për të gjithë ata që thonë se kjo qeveri nuk ka ndërtuar asnjë kilometër rrugë, Kryeministri kujton se “të bësh rrugë nuk do të thotë të bësh tendera, por të ndërtosh”.

“Përveç faturave për shfaqjet e neveritshme me daulle e shirita që rezultuan në 5 inaugurime pa lënë prapa asnjë punë, ne kemi likuiduar 9 kontrata për rrugën Plepa-Rrogozhinë, që ende nuk është atje ku duhet dhe 2 kontrata për Kukës-Krumë”, – tha Rama.

Sipas tij, “ishin 67 kontrata rrugësh në proces ndërtimi të papaguara”. “Si mundet një qeveri të bëjë tendera me qindra kilometra rrugë, pa pasur lekët? Mundet, por duhet të quhesh Sali, si piramidat jep 1 merr 2 dhe në fund u zhyt Shqipëria ‘dy pashë nën tokë’. Kështu edhe me rrugët: jep tendera, merr mbrapsht vota dhe lëri rrugët rrugëve”, – tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.