Nis ndërtimi i “Rrugës së Arbrit”, realitet brenda 3 vitesh

TIRANË, 17 qershor/ATSH/- Ndërtimi i “Rrugës së Arbrit” i cili do të jetë realitet brenda 3 vitesh, do të shkurtojë lidhjen e Klosit me Tiranën në më pak se 30 minuta, të Bulqizës në më pak se 40 minuta, por edhe do të çlirojë energji të shumëfishuara zhvillimi edhe për Burrelin, që do të lidhet me Tiranën për 1 orë.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i cili mori pjesë në ceremoninë e çeljes së punimeve të ndërtimit të “Rrugës së Arbrit”, që u mbajt sot në Dibër, deklaroi se ndërtimi i kësaj rruge do ta shndërrojë Dibrën në qarkun më të afërt të Tiranës.

“Jam i bindur se ky projekt do të përfundojë para zgjedhjeve të ardhshme. Jo për qëllime elektorale, por sepse është mënyra jonë e të punuarit e tillë që një projekt kur ta nisim ta çojmë deri në fund”, – u shpreh ministri Gjiknuri.

“Rruga e Arbrit” është projekti i parë i rëndësishëm që do të ndërtohet në kuadër të programit “1 miliard për rindërtim”.

Ministri siguroi se projekte të tjera do të pasojnë kantierin më të madh të punëve publike prej 1.4 miliardë dollarësh në 4 vitet e ardhshme, duke sjellë më shumë punësim e zhvillim të ekonomisë.

Gjiknuri tha se aktualisht po kryhen edhe procedurat për përzgjedhjen e supervizorit.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.