Rama: PD na la një gropë të madhe borxhesh për rrugët

TIRANË, 17 qershor/ATSH-Maela Marini/ – “Qeverisja e PD-së na la barrën që të bëjmë rrugët, por duke lënë mes nesh e rrugëve një gropë të madhe borxhesh”.

Kështu deklaroi sot nga Klosi, Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e organizuar për çeljen e punimeve të “Rrugës së Arbrit”.

Për “Rrugën e Arbrit”, Kryeministri theksoi se, “me marrjen e mandatit, gjetëm 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë, por i gjetëm fatura në tavolinë, asnjë kokërr leku të paguar dhe rruga nuk dukej asgjëkundi”. “Dukeshin vetëm gjurmët e atyre festave me daulle e shirita për ato inagurimet, për t’i hedhur hi syve kësaj dynjaje”, – tha Rama.

E njëjta situatë, sipas tij, ishte kudo. “Të bësh rrugë nuk është njësoj si të shkruash koment në ‘Facebook’. Të bësh një rrugë do të thotë të projektosh, të gjesh financimin, të  ndërtosh kontrata dhe të kesh një supervizim serioz. Asnjë nga këto të katërta nuk bëhej deri sa ne morëm detyrën”, – tha Rama.

Sipas tij, sot janë të gjithë dëshmitarë për projekte copë-copë, si ai i “Rrugës së Kombit”, që na sjell lajme për rrëshqitje dheu dhe shkëmbinj që shkëputen e kërcënojnë jetën e njerëzve”.

Rama tha se vetëm në “Rrugën e Kombit” janë 37 pika kërcënimi, pasi kemi një rrugë të projektuar në këmbë dhe të ndërtuar shkel e shko.

“Kur erdhëm gjetëm një mal me borxhe për programin e transportit rrugor të shtetit shqiptar. 43 miliardë lekë, ose 400 milionë euro borxhe, gati dyfishi i asaj që kushton sot ky projekt. Borxh që jo vetëm nuk mund ta mbanim më, se po na fuste poshtë si shtet, por që u kishte marrë frymën kompanive që ishin të falimentuara ose në prag falimenti, sepse bankat u kishin bllokuar gjithçka”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.