Paraqitja e Argjentinës në Botëror, do përcaktojë të ardhmen time në kombëtare

Lionel Messi pranon se do të vendosë pas mbarimit të këtij Botërori, nëse do të luajë për vendin e tij edhe në botërorin e ardhshëm. Sulmuesi i “Barcelonës” është duke konkurruar në Kupën e tij të katërt Botërore dhe këtë korrik mbush 31 vjeç, kur turneu tjetër do ta gjejë 35-vjeçar.

Ai krahasohet gjithmonë me Maradonën, i cili e udhëhoqi përfaqësuesen argjentinase në fitimin e Botërorit të Meksikës në vitin 1986. Messi ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të udhëhequr Argjentinën drejt një fitoreje të ngjashme dhe ka njoftuar në të kaluarën edhe tërheqjen e tij nga kombëtarja, pas asaj që ai i quajti kritika të padrejta që u bënë në adresë të tij.

Messi thotë se nuk e ka vendosur nëse ky do të jetë kampionati i tij i fundit botëror ku merr pjesë. “Unë nuk po mendoj për këtë tani, të gjitha do të varen nga mënyra se si do t’i bëjmë gjërat këtë muaj dhe sa mirë do ta përfundojmë turneun”.

“Jemi duke u përgatitur shumë mirë gjatë javëve të fundit, kemi lojtarë të mirë dhe do të luftojmë në çdo ndeshje”, – ka thënë Messi.

Pas humbjes së finales së Botërorit të fundit në kohën shtesë me golin e Mario Goetze, kundër Gjermanisë në “Brazil 2014”, Messi beson se argjentinasit tani mund ta kthejnë atë përvojë të hidhur në avantazhin e tyre.

“Kemi mësuar se duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe tani duhet të mësohemi me këtë mentalitet, – deklaroi ai. – Ne ishim shumë afër fitores me Gjermaninë dhe mendoj se do ta kishim merituar atë fitore. Është e vështirë të jesh aq pranë dhe të mos e menaxhosh dot”. /marca//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.