Financim 15 milionë lekë për çdo projekt agroturizmi, mbështetje edhe të rinjve

TIRANË, 16 qershor /ATSH/- Qeveria përmes programit të ri për agroturizmit, financon deri në 15 milionë lekë çdo projekt në sektorin e agroturizmit.

Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit të shtunën në Lurë, me banorë të kësaj zone informoi se është rihapur procedura e aplikimit për programin financiar në agroturizëm.

“Kemi një program të ri financimi për agriturizmin, ku shteti jep mbështetje, lekë në dorë çdo fermeri që ka një projekt. Jemi detyruar ta rihapin aplikimin në këtë program pasi  kemi pasur shumë pak kërkesa”, tha Rama.

Në përgjigje të kërkesës së një të riu, që mori fjalën gjatë bashkëbisedimit dhe kërkonte të punësohej si mësues, kryeministri Rama i shpjegoi se rruga e vetme e punësimit në mësuesi dhe infermierë është vetëm përmes portaleve.

“Që të jem i qartë, për t’u punësuar si mësues duhet të kalosh nga portali “Mësues për Shqipërinë“,  duhet të kalosh aty dhe të marrësh pikët e duhura. Nuk kanë ndodhur  më punësime jashtë portalit që kur është vënë portali. Ata që kanë qenë të punësuar më përpara është temë tjetër dhe të zëvendësohen ata, kjo ndodh vetëm nëpërmjet atyre që aplikojnë në portal”, tha Rama.

Kryeministri i sugjeroi i riut të kthejë kokën nga agroturizimi, si një mundësi e mirë që po mbështetet financiarisht edhe nga programet e qeverisë

“Shihe pak ndryshe, tha Rama, se mos të del më mirë duke e kthyer shtëpinë tënde në bujtinë, pasi mundësitë financiare janë. Ne kemi një program financimi për agroturizmit ku shteti jep 15 milionë lekë në dorë mbështetje, për një projekt që e kthen shtëpinë në bujtinë dhe zhvillon biznesin e agroturizmit”.

Qeveria financim 5 milionë lekë, çdo të riu që ndërmerr aktivitet bujqësor 

Për të mbështetur zhvillimin rural në vend dhe përmirësuar ekonominë fermere, qeveria po zbaton programin e mbështetjes financiare deri në 5 milionë lekë, për çdo të ri që ndërmerr projekte në fushën e bujqësisë apo të blegtorisë.

Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me banorë të Lurës, u shpreh se, “kemi edhe një program tjetër në mbështetje të çdo lloj aktiviteti në bujqësi. Qeveria financon 5 milionë lekë të rinjve që ndërmarrin iniciativa, projekte në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë”.

“5 milionë lekë i jep qeveria çdo të riu që bën një projekt dhe që kërkon mbështetje për të nisur një biznes në bujqësi apo blegtori”, tha Rama.

Gjatë bashkëbisedimit me banorë të zonës së Lurës, kryeministri dëgjoi me vëmendje çdo sugjerim dhe kërkesë të tyre për investime apo mbështetje.

“Do t’i bëjmë të gjitha, u shpreh kryeministri. “Nuk mund ti bëjmë të gjitha përnjëherë por hap pas hapi do t’i realizojmë”, deklaroi ai.

“Ajo që është kryesoja është që të dalim nga izolimi e të fillojmë luftën kundër varfërisë përmes agroturizmit, u shpreh kryeministri.

“Ne do të bëjmë disa iniciativave përmes projektit të shtëpive, rikualifikimit të tyre të ndërlidhura me investime në shëndetësi dhe arsim. Por me rëndësi tha ai, është që të bëhen me radhë, duke bërë gjënë e duhur sipas radhës”. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.