Thaçi për “Die Presse”: Dialogu Kosovë-Serbi, ne duam njohje reciproke

PRISHTINË, 14 qershor/ATSH/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse” ka folur për vizitën e tij në Austri, marrëdhëniet me këtë shtet, perspektivën europiane të Kosovës, liberalizimin e vizave dhe për dialogun me Serbinë.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale me Austrinë, Thaçi theksoi se “Kosova gjithmonë ka pasur mbështetjen e plotë të të gjithë spektrit politik në Austri”.

Ai ka komentuar edhe qëndrimet kundër Kosovës nga partia e ekstremit të djathtë, e cila është në pushtet FPO.

“Unë jam i vetëdijshëm se ka pasur zëra të tillë. Sidoqoftë, është e rëndësishme që mbështetja e shtetit austriak për Kosovën nuk ka ndryshuar. Austria vazhdon të mbrojë një perspektivë europiane për Ballkanin. Dhe ne shpresojmë që presidenca e Këshillit të BE-së nga Austria do të krijojë një dinamikë edhe më të fortë”, – theksoi Thaçi.

Për perspektivën europiane, Thaçi tha se në Samitin e Sofjes u bë e qartë se Kosova dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe të vazhdojnë me reformat, nëse duan të anëtarësohen në BE.

“Jam i kënaqur që jam president i vendit të rajonit, popullsia e të cilit është më proeuropiane dhe proamerikane. Në të njëjtën kohë, më vjen keq që jemi vendi më i izoluar”, – nënvizoi ai, duke shtuar se në Kosovë ndikimi rus është pothuajse i pamundur.

Thaçi foli për “Die Presse” edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai theksoi se gjatë Samitit të BE-së në Sofje është dakorduar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se nuk ka alternativë tjetër përveç marrëveshjes.

“Dialogu është një proces i vështirë që do të shkaktojë dhimbje koke për të gjitha partitë. Por kjo nuk është një ndeshje boksi, në të cilën fiton vetëm njëra palë. Duhet të jetë një situatë e favorshme për të dyja palët. Ne duam njohje reciproke. Nëse nuk shfrytëzojmë rastin për një zgjidhje, do të humbasim edhe një dekadë tjetër. Fëmijët tanë do të na mallkonin për këtë. Është e rëndësishme për ne që ky proces të fillojë kur Austria të marrë përsipër presidencën e BE-së”, – tha Thaçi. /KosovaPress/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.