Ndahet nga jeta Perikli Dhales, Basha: Legjendë e futbollit bardheblu

TIRANË, 14 qershor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të futbollistit legjendar, Perikli Dhales.

Kryetari i PD-së, Basha nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, shprehet se “dje u nda nga jeta Perikli Dhales, futbollisti virtuoz dhe një nga legjendat e bardhebluve të Tironës, bashkëshorti i Donikës, të dy kundërshtarë të paepur të diktaturës mizore, pjesëmarrës në demonstratën e heshtur të janarit 1990 pas të cilës u burgosën dhe u keqtrajtuan nga Sigurimi, por nga ku dolën edhe më stoikë, sfidantë e të pathyeshëm, duke i dhënë kurajo të gjithë banorëve anti-komunistë të lagjes 3 (tani minibashkia 8), të cilët një vit më vonë lanë jashtë Kuvendit të parë pluralist drejtuesin e fundit komunist të vendit”.

“Pero dhe Donika lindën dhe rritën në këtë lagje në zemër të Tiranës djemtë e tyre, Frenklin dhe Hertin, të cilët bashkë me dhimbjen për humbjen e papritur të babait duhet të ndihen krenarë me çfarë ai përfaqëson jo vetëm për ne banorët e vjetër të lagjes, por për mbarë Tiranën dhe vendin” shprehet Basha.

Duke ngushëlluar familjen, Basha pohon se “në këto momente të vështira ne jemi të gjithë pranë Donikës, Frenklit dhe Hertit, duke u përkulur me respekt dhe nderim para bashkëqytetarit tonë, krenarisë së futbollit bardheblu, kryetarit për vite të degës së PD-së për lagjen tonë, luftëtarit të pamposhtur gjatë gjithë jetës së tij, që sot iu dorëzua vetëm Zotit. U prehtë në paqen e Tij!”, përfundon Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.