Durrës, 1047 vende të lira pune

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155881665516523/

TIRANE, 14 qershor/ATSH/- Në Durrës u hap për të dytën herë Panairi i Punës, stendat e të cilit ofrojnë 1047 vende të lira pune të të gjitha kategorive e profileve.

480 vende vakante pune të ofruara në Panair, i cili u vizitua edhe nga Kryeministri Edi Rama, janë negociuar vetëm nga zyrat e punës, ndërsa pjesa tjetër drejtpërdrejtë nga bizneset.

“Të mos thonë që nuk ka vende pune. Ne jemi me konfeksione, punësojmë 250 persona. Edhe nëse nuk janë të trajnuar, ne i trajnojmë. Kemi kolektivin prestar, rrobaqepës, mekanikë, elektrikë, kemi mundësi plot për t’i punësuar,” shprehet një sipërmarrëse.

“Jemi aktivitet rrobaqepësie. Merremi 90% me përpunimin e xhinsit, qepjen. Kemi vende pune, punonjëse zyre, lavanderi dhe rrobaqepësi. Rrogat janë 40 mijë lekë për rrobaqepësinë, ndërsa administrata e kalon,” deklaron një tjetër biznesmen në fushën e fasonerisë.

Në këtë Panair doli në pah fakti se edhe në një qytet të madh si Durrësi, për zanate të tilla si saldatorë, tregu i punës vuan për fuqi punëtore.

“Gjithmonë me zyrën e punës kemi marrë saldatorë, pavarësisht se nuk janë stabël. Gjithmonë jemi në kontakt me zyrën e punës,” shprehet një sipërmarrës i ri, që ka lënë emigracionin në Itali për të ngritur biznesin e tij, në bashkëpunim me kompaninë ku punonte deri 3 vite më parë. Kryeministri Rama ka pohuar se ky është një shqetësim edhe për kompani që merren me projekte të mëdha në vend.

“Ka mungesë për saldatorë. Saldatorët janë problem, sepse në të gjithë këto kompanitë e reja që janë hapur, që punojnë si ju, edhe në ndërtime si stadiumi kombëtar, TAP-i e ndërtime që kanë struktura metalike ka mungesë dhe prandaj duhet të fuqizojmë shumë arsimin profesional,” deklaroi Kryeministri Rama.

Edhe në Durrës, të rinjtë që studiojnë degë profesionale janë më të preferuarit në tregun e punës. “Kemi bashkëpunim me zyrat e punës dhe me të gjithë bizneset që kërkojnë punëtorë. Kemi 5 degë profesionale: hoteleri-turizëm, ushqimorja, detaria, ekonomiku dhe konfeksionet, shprehet përfaqësuesja e Qendrës së Formimit Profesional e pranishme në Panair.

Madje edhe kompanitë që ofrojnë vende pune të profileve të larta e me paga të kënaqshme, sidomos për profesione si inxhinierë, hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve. “Kërkojmë inxhinierë mekanikë, elektrikë, edhe punëtorë të tjerë. Rroga varion nga 65-70 mijë lekë,” shprehet një biznesmen.

“Ne jemi fasoneri dhe kemi të gjithë të njëjtin problem, s’ka fuqi punëtore. Jemi prej vitesh të regjistruar te Zyra e Punës së Tiranës, Durrësit, gjithandej. Mendoj se s’ka dëshirë për punë, se ne stafin e trajnojmë vetë dhe është trajnim i paguar nga ne. Ne kemi punonjës që marrin edhe 70 mijë lekë, 80 mijë lekë,” thotë një sipërmarrës. “Edhe inxhinierë mekanikë kërkohen, edhe specialistë duralumini. Por e vështirë, nuk gjen punonjës,” shprehet një tjetër subjekt.

Kryeministri Rama u shpreh se ky Panair dëshmon edhe njëherë ritmin e zhvillimit ekonomik, që sjell nevojën gjithnjë në rritje për punonjës të kualifikuar.

“Dy aspekte besoj që vlejnë të nënvizohen nga Panairi i Durrësit. Njëri aspekt është që zhvillimi ekonomik me hapa progresivë të dukshëm ka sjellë një nevojë më të madhe, jo vetëm për vende pune, por për vende pune me disa kualifikime të caktuara, që nga kompanitë që merren me procese që lidhen me metalet, tek kompanitë e prodhimeve tekstile që janë shumë prezente në Durrës, apo të prodhimeve të peshkut dhe pastaj deri tek kompanitë e turizmit, strukturat hoteliere dhe kompani që punojnë për eksporte të materialeve të ndërtimit. Aspekti tjetër është te pagat, nga 250 mijë, 300 mijë lekë, në 600, 700 mijë, apo 800 mijë lekë. Është e gjithë gama, janë të gjitha profesionet, por vazhdon vakumi i madh që është krijuar në shumë vite dhe që po mbushet pak nga pak, por jo aq sa duhet, sepse është e pamundur të mbushet në kaq kohë të shkurtër sa ka filluar të vihet në shina arsimi profesional. Këtu është e gjithë sfida jonë, që njerëzve t’iu ofrojmë mundësi për punë,” deklaroi Kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri përgëzoi Zyrën e Punës, e cila ka mundësuar rritjen e kontakteve mes biznesit dhe qytetarëve që janë në kërkim të një vendi pune. “Zyra e Punës, qoftë në Durrës, qoftë në Krujë ka bërë një punë shumë të mirë. 1047 vende pune janë sot, këtu në këtë shesh. Këto panaire iu shërbejnë njerëzve që të vijnë dhe të kenë një kontakt të drejtpërdrejtë, të njohin tregun, të njohin mundësitë, të bëjnë tentativat e tyre. S’kemi asnjë rrugë tjetër, të vazhdojmë të këmbëngulim, të këmbëngulim, sepse është një mentalitet i tërë që duhet thyer,” u shpreh Kryeministri.​ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.