BM – Me afrimin e Brexit, Londra zbut kushtet për dhënien e vizave të punës

LONDËR, 14 qershor /ATSH-AFP/ – Londra njoftoi sot një zbutje të kushteve për dhënien e vizave për qytetarët jo-europianë për të përballuar mungesën e mjekëve dhe inkurajuar imigracionin në sektorin e teknologjive të reja, me afrimin e Brexit.

Mjekët dhe infermierët e huaj të cilët punojnë për Shërbimin Shëndetësor Publik Britanik (NHS) nuk do të preken nga tavani vjetor i përcaktuar për punonjësit e kualifikuar të cilët vijnë nga vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.

Ky prag u vendos në vitin 2010 nga kryeministrja konservatore, Theresa May, në atë periudhë ministre e Brendshme, por nuk i përgjigjet më sot nevojave të NHS-së.

Sipas revistës “British Medical Journal”, tashmë janë më shumë se 1500 mjekë të huaj të cilët nuk kanë mundur të rekrutohen gjatë muajve të fundit për shkak të këtij niveli tavan.

Lehtësimi i rregullave për dhënien e vizave u përshëndet nga CBI-ja, organizata kryesore e punëdhënësve britanikë. Një sistem i suksesshëm migracioni duhet të përqëndrohet në kontributin që japin individët për ekonominë dhe shoqërinë britanike dhe jo tek shifrat, theksuan ata./

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.