Veseli-Fajon: Jemi në prag të vendimit të madh për liberalizimin e vizave

PRISHTINË, 13 qershor/ATSH/ – Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon shprehu sot besimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë gjatë këtij viti, pasi tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret.

Gjatë një takimi në Strasburg Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe raportuesja Fajon diskutuan rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, procesin e euro-integrimeve dhe në mënyrë të veçantë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas saj, sapo Komisioni të dalë me raport pozitiv në fund të qershorit, menjëherë në fillim të korrikut do ta fusë në axhendën e Komisionit të liberalizimit të vizave çështjen e Kosovës.

“Jam e lumtur që po e takoj Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, për t’i diskutuar hapat e ardhshëm për liberalizim të vizave. Përkrahja ime është e paekuivoke, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen”, – tha Fajon.

Kryeparlamentari Veseli konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për të ecur më shpejt në proceset e integrimit europian, por theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që edhe Bashkimi Europian të lëvizë përpara në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj, veçanërisht lidhur me heqjen e vizave gjatë këtij viti.

“Zonja Fajon është duke bërë një punë jashtëzakonisht pozitive, në mënyrë që liberalizimi i vizave për qytetarët tanë të ndodhë. Analizuam realitetin në të cilin jemi. Jemi pothuajse në fazën përfundimtare. Të gjitha kushtet teknike janë plotësuar. Tani kemi nevojë vetëm për vendimmarrje politike. Jam i sigurt që në fund të këtij viti qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm pa viza në Zonën Shengen. Zonja Fajon gjithashtu më këshilloi se në cilat vende duhet të orientohemi, për t’i bindur ato lidhur me liberalizimin e vizave. Jemi në prag të vendimit të madh”, – theksoi kryeparlamentari Veseli./k.s//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.