SHËNIM – Botërori 2026 në SHBA-Kanada-Meksikë, merita kundër gjeopolitikës!

74

UASHINGTON, 13 qershor /ATSH-AFP/ – Ata kanë tetë vite për t’u përgatitur. Treshja SHBA, Kanada, Meksikë u përcaktua të mërkurën për të organizuar në vitin 2026 Kupën e parë të Botës me 48 ekipe.

Kompeticioni që mbretëron në botën e sportit rikthehet në SHBA pas turneut të vitit 1994. Meksika nga ana e saj e ka pasur dy herë këtë gëzim, në vitin 1970 dhe 1986, ku kjo e fundit mbeti në histori nga e famshmja “dora e Zotit” e Maradonës.

“SHBA-ja, bashkë me Meksikën dhe Kanadanë, do të organizojnë Kupën e Botës. Përgëzime, kemi punuar shumë për këtë”, përshëndeti presidenti amerikan, Donald Trump në “Twitter”.

Mbetet për të parë sjelljen e tij në tetë vitet që vijnë. Trump, kohët e fundit ka pasur një përplasje të ashpër me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau që e cilësoi si të “pandershëm dhe të dobët” ndërkohë që mosmarrëveshjet mbi tregtinë kanë goditur marrëdhëniet mes dy vendeve. Madje, presidenti amerikan ngacmon rregullisht Meksikën për çështjen e tregtisë dhe imigracionit.

Por për momentin, treshja fituese është në kulmin e gëzimit.

“Do të jetë një turne i jashtëzakonshëm!”, u shpreh i gëzuar Trudeau.

“Ka sjellë shumë emocione sot për ne. Ju falenderoj për këtë nder të jashtëzakonshëm”, tha i prekur në lotë, presidenti i Federatës Amerikane, Carlos Cordeiro në tribunën në Moskë.

Kandidatura e Marokut nuk i rezistonte dot kritereve të përcaktuara (infrastruktura, strehimi, transporti, buxheti…) nga ekspertët e FIFA-s. Sipas verdiktit përfundimtar dosja e Marokut mori një notë të përgjithshme prej 2,7 pikësh në 5 kundrejt 4 në 5 që mori treshja SHBA-Kanada-Meksikë, sipas një burimi pranë dosjes marokene.

Tashmë katër herë kandidat fatkeq në organizimin e Botërorit (1994, 1998, 2006 dhe 2010), Maroku dështoi për herë të pestë dhe nuk u bë dot vendi i dytë i kontinentit Afrikan, pas Afrikës së Jugut në vitin 2010 që të pres një prej evenimenteve më të rëndësishëm të planetit.

Për shumë vëzhgues, një Botëror me 48 ekipe (kunderjt 32 aktualisht) dukej shumë i madh për Marokun. Presidenti i FIFA-s pranoi gjithashtu në një konferencë për shtyp se një turne i tillë, sipas atij, “duhej të pritej nga një vend i madh ose nga një aleancë vendesh”.

“Sepse për një turne të kësaj madhësie do të ikte dëm nëse do të mbetej vetëm në një vend”, kishte shtuar ai.

Kjo mjafton për të trembur vendet e vogla në të ardhmen.

Nga ana tjetër treshja SHBA-Meksikë-Kanada ka premtuar Kupën e Botës më luksoze të historisë me 14 miliardë dollarë investime, kundrejt një pagese neto nga ana e FIFA-s prej pesë miliardë dollarësh për Marokun.

“United 2026” në fakt kishte frikë vetëm nga një gjë, që vota e sotme të mos kthehj në një referendum pro apo kundër Donald Trump.

Presidenti i SHBA-së kishte skandalizuar gjithë botën e futbollit duke lëshuar në “Twitter” kërcënime aspak të fshehta për ata që nuk mbështesin kandidaturën e “United 2026”. Në atë pikë që kishte nxitur Cordeiro-n që t’i bënte thirrje votuesve që të gjykojnë mbi meritat dhe jo gjeopolitikën. Me sukses. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.