SHBA – Trump: Samiti me Kim kontribuoi në shmangien e një katastrofe bërthamore

HONOLULU, 13 qershor /ATSH-AFP/ – Takimi i pazakontë në Singapor me liderin koreano-verior, Kim Jong Un ka kontribuar në shmangien e një katastrofe bërthamore, theksoi presidenti amerikan, Donald Trump në një postim në Twitter.

“Bota është përjashtuar në mënyrë të konsiderueshme nga një katastrofë potenciale bërthamore”, shkruan Trump.

“Jo më lëshime raketash, teste apo kërkime bërthamore! Pengjet janë rikthyer në shtëpi me familjet e tyre. Faleminderit Presidenti Kim, dita jonë së bashku ka qenë historike!”, shtoi ai.

Samiti historik mes Donald Trump dhe Kim Jong Un përbën një kthesë radikale në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, konfirmoi sot agjencia koreano-veriore e lajmeve.

“Marrëdhëniet e përkeqësuara mes dy vendeve kanë zgjatur për periudhën më të gjatë në Tokë”, theksoi agjencia koreano-veriore e lajmeve KCNA në komentet e para për këtë takim dhe shpreson që ky samit të mundësojë një kthesë radikale në marrëdhëniet shumë të përkeqësuara mes dy vendeve.

Lideri koreano-verior, Kim Jong Un ka ftuar presidentin amerikan, Donald Trump të shkojë në vizitë në Phenian gjatë samitit të tyre në Singapor dhe pranoi të shkonte në SHBA, njoftoi agjencia koreano-veriore.

“Kim Jong Un ka ftuar Trump të zhvillojë një vizitë në Phenian në një moment të përshtatshëm dhe Trump Ka ftuar Kim Jong Un për vizitë në SHBA”, theksoi agjencia koreano veriore e lajmeve KCNA.

“Dy drejtuesit kanë pranuar me kënaqësi ftesat e tyre reciproke, të bindur se kjo do të përbënte një rast të rëndësishëm për një përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve”, shtoi agjencia./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.