Home Ekonomi

Rehabilitim i plotë i rrugës në hyrje deri në dalje të Pogradecit

63
TIRANË, 13 qershor /ATSH/- Rruga në hyrje deri në dalje të Pogradecit, qytetit turistik buzë liqenit të Ohrit në juglindje të vedit po rehabilitohet plotësisht, duke krijuar lehtësi në  qarkullimin e automjeteve veçanërisht tani në fluksin e sezonit turistik.
Drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar (ARRSH), Afrim Qëndro në një prononcim për mediat në qytetin e Pogradecit u shpreh se punimet po kryhen në kuadër të kontratës që ARRSH ka në bashkëpunim me Bankën Botërore.
“Jemi duke rehabilituar plotësisht 2.1 km në hyrje deri në dalje të qytetit të Pogradecit. Vlen të theksohet që ky është një rehabilitim i plotë me të gjitha shtresat me punime në trotuar dhe me punime në kanalet e kullimit”, tha Qendro.
Ai shpjegoi se, punimet në këtë segment nuk janë si ndërhyrja që po bëhet në segmentin Tiranë- Durrës që ishim në emergjencë vetëm për shtresat, ky është një rehabilitim i plotë.
Qendro shprehu falenderim për bashkëpunimin me Bashkinë e Pogradecit, gjithashtu edhe sektorin e policisë rrugore, pa të cilët, siç th aia, ne nuk mund ta bënim këtë.
“Jemi në një punë intensive prej gati 12 ditësh dhe mendojmë që brenda javës së parë të korrikut ne ta përfundojmë gjithë këtë rehabilitim. Gjithashtu jemi duke punuar edhe në segmentin e Qafës së Plloçës, në të cilën kemi rehabilitim edhe aty, pastrime kanalesh, për ta kthyer edhe këtë segment në kushte normale dhe për t’i rritur të gjithë elementët e sigurisë rrugore”, deklaroi Qendro.
I pyetur sa ndikon ky proces punimesh në sezonin turistik për qytetin e Pogradecit, drejtori i ARRSH, Qëndro u shpreh se, segmenti ku jemi aktualisht mbaron brenda qershorit, kurse segmenti tjetër mendojmë që brenda javës së parë, por ne e kemi siguruar trafikun normalisht së bashku me Policinë Rrugore dhe me bashkinë e Pogradecit, që kalimi të jetë normal.
“Një javë duhet ta na mirëkuptojnë qytetarët edhe pushuesit, vetëm javën e parë të korrikut dhe pastaj rruga do të jetë në kushte shumë normale. Kjo ishte koha më e mundur e mundshme që na lejonte kontrata dhe brenda javës së parë të korrikut mbaron segmenti në hyrje të Pogradecit. Kurse ky segment ku jemi këtu 1.2 km mbaron brenda 30 qershorit”, tha ai.
Ndërsa theksoi se në aksin Qukës-Qafë Plloçë, është duke u punuar për stabilizimin e skarpateve dhe disa rrëshqitjeve që kemi aty.
“Kemi muaj që po punojmë për të. Po punohet normalisht në të tre segmentet. Besoj që brenda një kohe të shkurtër paraqiten edhe projektet, i jepen zgjidhje dhe këtyre problematikave. Unë nuk dua ta përsëris më që ai ka qenë një segment me probleme shumë të mëdha në projektim dhe ne mendojmë që brenda afateve të deklaruara aksi Qukës-Qafë Plloçë të mbarojë përfundimisht”, theksoi Qendro. e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.