“I thashë jo ‘Realit’, shpresoj që Higuain të qëndrojë”

100

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Tekniku i “Juventusit” Massimiliano Allegri zbuloi se ka refuzuar ekipin e “Realit të Madridit”. “Falënderoj presidentin e ‘Realit’ për mundësinë që më ka dhënë për ta marrë në konsideratë, – shpjegoi ai. – Por unë tashmë i kisha dhënë fjalën ‘Juventusit’ se do të qëndroja dhe nuk ishte e drejtë të kërkoja diçka të ndryshme”.

Ndërsa për të ardhmen e Higuain, Allegri tha se shpresonte që sulmuesi të mbetej te “Juventusi”, por për ta ditur të saktë këtë, duhet pritur përfundimi i Kupës së Botës.

Ishte tentativa e “Realit” për të marrë shërbimet e Allegrit. Por ëndërra “los blancos” nuk e ka lëkundur sigurinë e Max, i cili zgjodhi të mbante fjalën që i kishte dhënë Andrea Agnellit. “Le të themi që vendimi për të qëndruar te Juventus tashmë ishte marrë, – thotë ai, – nëse do të vendosja për t’u larguar, i pari që do ta mësonte do të ishte presidenti (Agnelli), i cili do të vendoste nëse dëshironte të ndryshonte trajnerin”.

Allegri thekson se “Juventusi” është një nga klubet më të forta në botë dhe se ai “… është rinovuar çdo vit dhe është konkurrent për të fituar”. Ekipi ka katër vjet që është në krye të ekipeve të Europës dhe ne duhet të vazhdojmë të përmirësojmë atë që kemi filluar katër vjet më parë, bashkë me drejtuesit e klubit.

“Juve është një klub ambicioz dhe presidenti edhe më shumë”, – shton Max.

Në fund Allegri bën disa shaka për sezonin e ardhshëm. “Kemi pastruar çdo gjë që ka ndodhur sezonin e kaluar, do e fillojmë nga zeroja, por ne duam të luftojmë për Scudetto-n dhe Ligën e Kampioneve. ‘Napoli’, ‘Inter’ dhe ‘Roma’ do të jenë kundërshtarët tanë për titull; ardhja e Ancelotti-t te ‘Napoli’ është një bonus, por kemi humbur Sarrin”.

Ndërsa për lëvizjet e lojtarëve shton: “Savic Milinkoviç dhe Cancelo janë dy lojtarë të mirë, por unë nuk flas, sepse ata nuk janë tanët. Golovin? Thonë që është i mirë, por nuk e di …” /TGCOM24//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.