Çanta “Hermes Birkin” shitet në ankand me çmim të pabesueshëm

87

TIRANË,13 qershor /ATSH/ – Një çantë e përdorur “Hermes Birkin” u shit për 217 144 dollarë në Londër, një rekord i ri europian për çmimin më të lartë të çantës shitur në një ankand.

Çanta e 2008-s, “Himalaya Birkin”, me një çelës prej floriri 18 karatësh dhe një diamant brenda tij, tejkaloi çmimin fillestar prej 150 000 dollarësh. Rekordi për një çantë të shitur në ankand, gjithashtu një çantë “Hermes Birkin”, është 380 000 dollarë dhe është shitur në Hong Kong në 2017-ën.

“Është pa diskutim çanta më e vlerësuar në botë”, është shprehur shtëpia e ankandeve “Christie’s”.

“Kjo ishte hera e parë që çanta u shit në një ankand në Europë”, – tha drejtori i ndërkombëtar i ankandeve, Matthew Rubinger.

Çanta 10-vjeçare me lëkurë krokodili thuhet të jetë në kushte të mira. Masa e saj është vetëm 30 cm gjerësi, më e vogël se “Birkin” normale, është bërë nga lëkura e krokodilit Nilo dhe përmban diamantë.

Emri i saj lidhet me ngjyrën që ka, e cila sjell në mendje majat e mbushura me dëborë të Himalajave.

Një version blu i çantës, i vitit 2006, u shit për 100 000 paundë, në të njëjtin ankand ditën e djeshme.

Kim Kardashian, Victoria Beckham dhe Celine Dion janë ndër emrat që janë shfaqur me çantën e rrallë “Himalaya” në krahët e tyre, ndërsa shumë emra të njohur kanë “Hermes Birkin” si pjesë të koleksioneve të tyre.

Çantat e reja “Birkin” nisin nga 7 mijë paund, por nuk është e lehtë t’i blesh, pasi ka një listë të gjatë pritjeje me emra të njohur.

Shtëpia luksoze e modës “Hermes” e dizenjoi fillimisht atë që u njoh si “Birkin” në vitin 1981. E quajtur sipas aktores Jane Birkin, çanta u bë një nga aksesorët më të kërkuar në botë, por nisi si një kërkesë për të mbajtur gjithçka në një çantë “perfekte”.

Zonja Birkin ka takuar shefin ekzekutiv të Hermes gjatë një fluturimi nga Parisi në Londër, në të cilin ai i ofroi asaj të dizenjonte një çantë që mban gjithçka dhe i kërkoi që t’i vërë emrin e saj. /a.a//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.