Të ardhura rekord nga turizmi, 331 milionë euro, vetëm në 3-mujorin e parë

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ – Të ardhurat nga turizmi në ekonominë e vendit kanë shënuar një tjetër rekord në 3-mujorin e parë të vitit 2018.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit shpenzimet e turistëve në Shqipëri shënuan nivelin 331 milionë euro, me një rritje prej gati 10%, në krahasim me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fluksit të vizitorëve dhe turistëve që në muajt e parë të këtij viti tregon se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion i preferuar turistik, që kontribuon drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë së vendit, punësimin dhe përmirësimin e jetesës.

Vetëm në katër muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë 1 milion persona, duke u rritur me 7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se fluksi i të ardhurave nga të huajt në Shqipëri ka arritur nivele rekord edhe gjatë vitit 2017.

Të huajt kanë sjellë në Shqipëri rreth 1.7 miliardë euro, me një rritje prej 11.7% në krahasim me 2016-n. Fluksi më i lartë ka qenë në tremujorin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me 421 dhe 588 milionë euro, që përkon dhe me periudhën kulmore turistike (maj-shtator). /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.