Përmbytjet, plan masash për Vjosën, Bunën dhe lumin e Fushë-Krujës

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ –  Për të shmangur përmbytjet, qeveria po punon me dy projekte të rëndësishme që do të fillojnë zbatimin, për të shmangur përmbytjet nga lumenjtë Vjosa dhe Buna.

Kjo u bë e ditur nga Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë turit të llogaridhënies në qytetin e Durrësit, ku një banore nga Shijaku shprehu pakënaqësi lidhur me përmbytjet nga lumi Erzen duke kërkuar zgjidhje.

“Lumi ka 30 vjet që është inatosur nga gërryerjet, nga plehrat, nga qeset plastike, nga mbeturinat që na kanë sjellë në këtë gjendje. Nuk i bëjmë dot të gjitha dhe menjëherë. Për të bërë ndërhyrje në lumin Erzen kërkohet një investim shumë i madh dhe problemi është sa mbrohet ai investim. Ne po bëjmë dy projekte që do të fillojmë t’i zbatojmë për Vjosën dhe Bunën që përmbysin dynjanë”.

Rama tha se për të shmangur një nga faktorët që ndikojnë në përmbytjet, që janë mbeturinat dhe qeset plastike, për këto të fundit qeveria është e vendosur për ndalimin e tyre.

“Jam që të vendosim ndalimin e qeseve plastike në Shqipëri. Që e gjithë kjo katrahurë të ndalet dhe mbi të gjitha të ndalojmë shkatërrimin e mëtejshëm të së ardhmes të fëmijëve tanë. Kemi një situatë tjetër me lumin në Fushë-Krujë dhe aty prapë na duhet një ndërhyrje, do të bëjmë një financim aty”, – përfundoi Rama. /z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.