Bashkëpunim mes doganave rajonale edhe në luftën ndaj terrorizmit dhe trafikut

TIRANE, 12 qershor/ATSH/- Të ndara tregjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbeten të vogla, ndërkohë që së bashku marrin një përmasë shumë më të rëndësishme për aspiratat dhe për mundësitë e biznesit në të gjithë rajonin.

Ky ishte mesazhi që u përcoll gjatë punimeve të konferencës rajonale e administratave doganore të vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt sot në Tiranë.

Takimi i sotëm, sipas drejtores së Përgjithshme të Doganave, Belinda Ikonomi i shërben thellimit të procesit të bashkëpunimit tanimë të vendosur mbi shinat e partneritetit strategjik si mes qeverive, ashtu edhe mes administratave doganore.

Sipas saj, kontributi ynë si administratë doganore është kyç dhe i një roli vendimtar në këtë drejtim duke lehtësuar pikërisht procedurat doganore mes vendeve tona.

“Unë besoj se çështjet që duhet të adresojmë dhe ditën e sotme, duhen fokusuar pikërisht në këtë ambicie për të lehtësuar sa më shumë tregtinë dhe lëvizjen e njerëzve mes vendeve tona por duke rritur fuqimisht kapacitetet tona njerëzore dhe logjistike për shkëmbimin e informacionit, jo vetëm në drejtim të kontributit për një tregti të hapur dhe të drejtë në zbatim të politikave tregtare, por dhe në krijimin e kufijve më të sigurt”, u shpreh Ikonomi.

Sipas saj, shkëmbimi në kohë reale i informacionit, nëpërmjet platformave dhe instrumenteve të teknologjisë dhe informacionit do të përmirësonte ndjeshëm menaxhimin e riskut si dhe do të na bëjë më të fortë në drejtim të luftës së përbashkët ndaj fenomeneve që shqetësojnë rajonin si terrorizmi, pastrimi i parave, lufta kundër trafikut të mallrave të ndaluara, kontrabanda dhe tregtia ilegale dhe ndërkohë do të rriste besueshmërinë e atyre që duan të zhvillojnë tregtinë e pastër dhe të ndershme.

Ikonomi vuri në dukje se qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në shumë sektorë, sidomos ne përafrimin e legjislacionit me atë të BE, por edhe në përthithjen e praktikave më të mira me ato të vendeve të rajonit, të cila konsiderohen si një pikë shumë e rëndësishme për integrimin e vendit dhe në krijimin e një klime të favorshme për komunitetin e biznesit.

“Synimi në përputhje dhe me rekomandimet e partnerëve tanë është pikërisht zbatimi i parimit bazë një ndalesë një kontroll jo vetëm në drejtim të mirorganizimit të punës brenda agjencive kombëtare, por dhe në bashkëpunim me kolegët tanë në kufi” theksoi ajo.

Drejtoresha e Doganave, tha se eksperienca shumë pozitive me Malin e Zi, për pikën e Muriqanit-Sukobinit dhe Tuzin për transportin hekurudhor të mallrave janë një tregues i qartë për shtrirjen e tyre të mëtejshme për të gjithë pikat e tjera kufitare, si një instrument i rëndësishëm bashkëpunimi, lehtësimi dhe kontrolli të shtuar mbi elementet e sigurisë.

“Shumë shpejt bazuar dhe në mbledhjet e qeverive të përbashkëta, eksperienca të tilla do të kemi në pikën mjaft të rëndësishme të Morinës- Vërmicës me Kosovën- e cila pritet të inaugurohet së shpejti si dhe në pikën tjetër shumë të rëndësishme të Qafë Thanës- Kafsan me Maqedoninë”, informoi Ikonomi./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.