Hoteleri-turizmi, 80% e të rinjve punësohen 6 muaj pas shkollimit

TIRANE, 11 qershor/ATSH/- Rritja e cilësisë në shërbimet e turizmit është e lidhur ngushtë me punësimin e të rinjve që përgatiten në këto shkolla, të cilat janë një garanci për zhvillimin e turizmit.

Zëvendës-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Danja Sorensen në një takim të zhvilluar në një nga komplekset turistike në Durrës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, shpjegoi rolin e madh që ka sektori i turizmit në punësimin e të rinjve.

Sorensen tha se në vitin 2017, në këtë sektor u punësuan mbi 42 mijë qytetarë, shifër kjo me një rritje vjetore prej 20%.

Por zv-ministrja bëri të ditur se që sektori i turizmit të arrijë në potencialin e tij ka nevojë mbi të gjtha për një forcë pune të kualifikuar.

Sipas saj, nga anketa e nevojave për aftësi e bizneseve ka dalë se sektori i turizmit është sektori ku hendeku i aftësive është më i madhi në vend.

“Aktualisht në Shqipëri ka 11 shkolla të arsimit profesional që ofrojnë programe të fushës së hoteleri-turizmit. Janë 2800 të rinj e të reja që studiojnë në shkollat e arsimit profesional’, tha Sorensen.

Ajo inkurajoi të rinjtë t’i drejtohen arsimit profesional.

“66% e të rinjve që mbarojnë arsimin e mesëm profesional punësohen 6 muaj deri në një vit pas diplomimit. Në sektorin e hoteleri-turizmit, 80% e të rinjve që përfundojnë shkollën punësohen brenda 6 muajve nga momenti i diplomimit”, tha Sorensen. /a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.