TIRANË, 10 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Investimet kryesore në bashkinë e Roskovecit për periudhën janar- maj 2018 kanë shkuar në rikonstruksionin e rrugëve.
E konsideruar si prioritet për komunitetin, infrastruktura rrugore tashmë garanton standarde dhe nxit lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, duke afruar zonat bujqësore me tregun.
Në një intervistë për ATSH-në, Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi detajon projektet kryesore ku po punohet sa i takon infrastrukturës rrugore.
Duke folur për rikonstruksionin e rrugës “Suk 1- Samaticë- Arapaj”, Bufi tha se “ky është një segment i lënë harresë për shumë vite, që lidh tre fshatra, dy bashki, dy qarqe dhe 2 zona bujqësore”.

“Një rrugë e cila kishte paralizuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, ky investim financohet nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me një vlerë prej 157.217.227.04 lekë. Ky projekt synon kanalizimet e ujërave të zeza, asfaltimin e rrugës, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçim.
Rikonstruksioni i kësaj rruge i vjen në ndihme tre fshatrave dhe nxit lëvizjen e mallrave ndërmjet dy qarqeve”, tha Bufi.
Ndërkohë po investohet edhe në disa rrugë të brendshme të fshatrave, ndërhyrje që do të përmirësojnë jetën e banorëve.
Rikonstruksioni i rrugës “Xhemal Lamo”, në Kuman, sipas saj, është një investim me vlerë 2,4 milionë lekë, që financohet nga bashkia Roskovec.
Në projekt është parashikuar të realizohet asfaltimi i rrugës, trotuare dhe ndriçim.
“Për shumë vite i lënë në harresë, ky projekt i vjen në ndihmë rreth 46 familjeve për t’ i lidhur me pjesën tjetër të fshatit dhe fëmijëve të shkollës “Rexhep Kothere”, të cilët kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë”, tha Bufi.
Po ashtu, rikonstruksioni i rrugës “Elmaz Pelo”, me vlerë investimi prej 4,4 milionë lekësh u shërben 52 familjeve dhe lidh këtë zonë me qendrën e komunës.
Një tjetër rrugë ku po investohet në bashkinë Roskovec është edhe “Kompleksi Blegtoral”. Vlera e këtij investimi shkon në 9.4 milionë lekë.
Në projekt është parashikuar të realizohen kanalizimet e ujërave të zeza, asfaltimi i rrugës, trotuare dhe ndriçim. Ky investim i shërben 120 familjeve./e.caushi/
