Muze nënujor dhe varka me vela në Pogradec

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ – Driloni dhe Tushemishti, ndër qendrat turistike më të bukura të Shqipërisë, janë përfshirë në një projekt shumë dimensional zhvillimi, që synon t’i shndërrojë në atraksion unik të turizmit ballkanik, por edhe më gjerë, me muze nënujorë dhe ku të zhvillohen kampionate me varka me vela.

Bledi Hoxha, koordinator i projekteve pranë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në një intervistë për ATSH-në, u shpreh se AADF po mbështet një projekt për zhvillimin e destinacioneve ekoturistike në Shqipëri, pjesë e së cilës është zona Drilon-Tushemisht, në Pogradec.

Hoxha na tregon se, Drilon-Tushemishti, është një ndërthurje komplekse, ku gjendet vijë ujore, liqeni, vepra të trashëgimisë natyrore, pjesë të një peizazhi të mbrojtur, zona rurale që siguron të ardhura nga përdorimi i tokës dhe aktivitete të tjera.

Nisur nga kjo dinamikë, thotë ai, kjo zonë kërkon ideimin e një projekti shumë kompleks.

“AADF po punon për hartimin e një projekti që përfshin edhe planin arkitektonik dhe zhvillimor të zonës, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore, të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara, apo të nënshfrytëzuara”, – thotë Hoxha.

Sipas tij, impakti ekonomik e social që do të ketë i gjithë projekti, do të jetë një multiplikator shumë i madh për efekt të ardhurash ekonomike dhe zhvillimi, që do t’i ofrojë zonës, jo vetëm duke e mbrojtur, por duke e zhvilluar në shumë drejtime.

Projekti është konceptuar si një projekt në tërësi, që parashikon të gjithë elementët e mundshëm që duhet të ketë një zonë e tillë. Kuptohet që në të ardhmen mund të vijnë edhe zhvillime të reja, por që nuk bien ndesh me zhvillimet e deritanishme, shprehet Hoxha.

Pjesë e saj, vijon ai, janë edhe disa objekte, siç është muzeu ujor, i cili përfshin në vetvete gërshetimin e ekosistemeve që ndodhen në zonë, jo vetëm atyre ujore, por edhe ato që ofron fauna e flora, i gjithë peizazhi i mbrojtur, duke përfshirë edhe burimet e Drilonit.

Përveç kësaj, tregon ai, kemi parashikuar ngritjen e kullave të vrojtimit të shpendëve, mjaft e lakmuar nga vizitorët e turistët.

Ndërsa vitet e fundit Ballkani po shërben si një destinacion i tërë për shumë nga turistët e vendeve të Europës Perëndimore, Amerikës e Azisë, të cilët e shohin si një tur të përgjithshëm turistik pjesën e Ballkanit, duke vizituar vende të veçanta gjatë gjithë sezonit të pushimeve. Ne shpresojmë që Pogradeci e Drilon-Tushemishti të jetë një nga këto destinacione që vizitohet nga këta turistë, thotë Hoxha.

Gjithashtu ai nënvizon edhe faktin që liqeni i Ohrit është një nga më të lakmuarit në Ballkan, që shërben edhe si një bazë ku mund të zhvillohen shumë aktivitete të sporteve ujore.

“Ne e kemi ëndërr që aty të shohim një aktivitet ndërkombëtar të varkave me vela, i cili jo vetëm do të tërhiqte pasionatët e fushës, por do të ishte edhe një lobim shumë i mirë për zhvillimin e zonës, si një atraksion i ri në zemër të Ballkanit”, – tha Hoxha. /e.xh./ r.e

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.