PEKIN – Samit Kinë-Rusi-Iran në sfondin e tensioneve me SHBA-në

PEKIN, 9 qershor /ATSH-AFP/ – Një samit që do të mbledhë krerët e Shtetit rus, iranian dhe kinez pritet të nisë sot punimet në lindje të Kinës, në një moment tensionesh të larta tregtare kino-amerikane dhe ku Teherani kërkon të marrë mbështetjen e Pekinit dhe Moskës pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja për bërthamoren iraniane.

Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) , e cila përveç Kinës dhe Rusisë bën bashkë disa shtete të Azisë Qendrore dhe Jugore, do të mbajë këtë fundjavë samitin e përvitshëm në qyetetin e madh bregdetar të Qingdao-s.

Automjete të blinduara dhe forca të shumta sigurie kanë pushtuar rrugët e qytetit portual, i njohur për kodrinat me pisha dhe vilat e stilit gjerman. Autoritetet kanë evakuar tregtarët, banorët dhe turistët në disa lagje përpara ceremonisë së hapjes zyrtare të samitit planifikuar sot pasdite.

Përkrah presidentit rus, Vladimir Poutine dhe kreut të Shtetit kinez, Xi Jinping do të marrë pjesë një i ftuar i veçantë, presidenti iranian, Hassan Rohani. Edhe pse çështja e marrëveshjes bërthamore iraniane nuk është në rend të ditës, ky i fundit pritet të ketë bisedime për çështjen me homologët e tij./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.