RUSI 2018 – FOKUS – Kupa e Botës vitrinë e biznesit futbollistik

MOSKË, 8 qershor /ATSH-AFP/ – Audiencë e mrekullueshme që e ëndërron çdo reklamues, sponsorët në festë, vlera e transfertave rritet.

Kupa e Botës bëhet gjatë një vere vitrina botërore e biznesit futbollistik, platforma rreth së cilës lidhen këmbimet tregtare të një sporti më shumë se kurrë të globalizuar.

Për të matur se deri në çfarë pike Botërori shihet si makineria e parave të FIFA-s, mjafton të hedhësh një sy mbi biznesin e vogël të realizuar rreth trofeut të saj.

Partner me markën luksoze “Louis Vuitton”, i ngarkuar të ideojë një valixhe për ta transportuar, me rreth 50 punonjës në shërbimin e saj madje… Kupa e Botës është bërë me kalimin e viteve, me lartësinë e saj prej 38 centimetrash dhe pak më shumë se gjashtë kilogram flori të derdhur, një element ndërkombëtar më vete!

Një shembull i mirë është “Coca-Cola Trophy Tour”, turi që bën Kupa e Botës në të katër cepat e globit para se të fillojë kompeticioni. Nga janari deri në prill, statuja e famshme viziton 51 vende të ndara në gjashtë kontinente që të shihet nga fansat që nuk kanë mundësinë që të shkojnë ta shohin në Rusi dhe lëviz në një avion me ngjyrat e “Coca-Cola”.

Interesi i ”Coca-Cola”-s? Përveç mundësisë për ta prekur më shumë se 330 000 fansa, të gjithë të lumtur që t’i afrohen sa më shumë trofeut mitik dhe ambasadorëve që e shoqërojnë, ideja është që të afrojë sa më shumë markën e saj me turneun më të madh sportiv të planetit.

Platformë e jashtëzakonshme vizibiliteti

Fabrikues të televizorëve, prodhues të automjeteve, banka, apo kompani ajrore, të gjithë shpresojnë të rrisin rezultatet e tyre tregtare duke përfituar nga audienca e jashtëzakonshme e një kompeticioni të transmetuar nga më shumë se 200 vende.

Sipas shifrave të FIFA-s dhe të agjencisë “KantarSport”, më shumë se një miliard fansa panë finalen e Botërorit 2014, një edicion që tërhoqi 3,2 miliardë telespektatorë gjithsej.

Sipas një studimi nga kabineti “NPD Group”, edicioni 2018 priet të rrisë me 1,0% gjithë tregun e sportit, ose një kontribut me më shumë se 560 milionë euro në pesë vendet më të mëdha europiane (Gjermani, Britani e Madhe, Francë, Itali, Spanjë).

Merkato, rritje e të ardhurave dhe kufij të rinj

Për klubet, një tjetër aktor që duhet llogaritur në efektet e Botërorit, të shohin një prej lojtarëve të tyre të shfaqet me ekipin kombëtar në një turne me një audiencë të tillë, mund të shndërrohet shpejt në garancinë e rritjes së të ardhurave në të ardhmen në tregun e transferimit të lojtarëve.

”Në vitin 2014, një total prej 13 090 futbollistësh u transferuan në të gjithë botën për një shumë globale prej 4,1 miliardë dollarësh”, sipas shifrave të FIFA-s.

Tri vite më pas, klubet realizuan një total prej 15 624 transaksionesh (+16,2%) për një shumë rekord prej 6,37 miliardë dollarë, ose një rritje me më shumë se 35%.

Kolosale!./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.