Qendra e Formimit Profesional në Elbasan certifikon 140 të rinj

TIRANË, 8 qershor /ATSH – I. Vata/ – 140 të rinj janë certifikuar sot pranë Qendrës së Formimit Profesional në Elbasan, duke u bërë kështu profesionistë të aftë për tregun e punës.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Elbasan ishin të pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla, Kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, deputetë e specialistë të arsimit profesional.

Kryetari i Grupit Parlamentar Balla theksoi rëndësinë e zhvillimit të arsimit profesional, si një prej motorëve kryesorë të zhvillimit të një vendi.

“Ne duhet ta promovojmë sa më shumë këtë shkollë. Sot marrin diplomat e përgatitjes profesionale djem e vajza, të cilët janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës në disa profesione. Dje prita në zyrë, përfaqësues të konfindustrisë së Milanos të cilët janë shumë të interesuar të zhvillojnë një bashkëpunim me shkollën profesionale të Elbasanit përsa i përket industrisë tekstile dhe asaj të modës, po të kemi parasysh se çfarë përfaqëson konfindustria e Milanos përsa i përket modës në Itali. Unë jam shpresëplotë që shumë shpejt do të arrijmë të konkretizojmë këtë marrëveshje”, – tha Balla.

Më tej ai shtoi se “… jo pa qëllim ne disa muaj më parë nisëm një komunikim me njerëzit e thjeshtë e të zakonshëm të këtij vendi, përsa i përket profesionalizimit të njerëzve në sektorët ku ka nevojë. Arsimi profesional është një prej motorëve të zhvillimit të vendeve, sikurse, nuk nguroj ta quaj, vendi më i zhvilluar sot në Europë siç është Gjermania”.

“Ne kemi filluar të bëjmë një reformë rrënjësore në sistemin e arsimit profesional, nuk jemi ende atje ku duhet, por sigurisht nuk jemi atje ku ishim një vit më parë”, – theksoi Balla.

Deputetja Evis Kushi u kërkoi të rinjve që t’i shfrytëzojnë certifikimet e tyre profesionale dhe të aplikojnë për vende pune, pasi vetëm kështu do të mund të gjejnë një punë.

“Arsimi dhe formimi profesional janë në një vëmendje shumë të posaçme të qeverisë, janë prioritet shumë i rëndësishëm edhe në mandatin e parë, por sidomos në këtë mandat të dytë qeverisës. Të rinjtë e diplomuar sot pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit Profesional morën drejtime të ndryshme si kulinari, rrobaqepësi, gjuhë të huaja, mekanik, hidraulik elektricist etj”, – tha Kushi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.