Spaho: Vendet europiane, rezerva për hapjen e negociatave

TIRANË, 7 qershor /ATSH- I. Vata/ – “Ka shumë vende europiane që shprehin rezerva në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian për shkak të krimit dhe mosluftimin e korrupsionit”, – deklaroi sot në Kuvend, kryetar i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Sipas Spahos, vende e BE janë skeptike për arsye të mosluftimit të krimit dhe korrupsionit.

“Duke filluar nga Presidenti i Parlamentit Europian, nga Presidenti i Këshillit Ekzekutiv, e më pas vende të tilla si Holanda, Gjermania dhe së fundmi edhe Kryetari i PPE-së përcaktoi që Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat, nëse Shqipëria nuk do të bëjë luftë ndaj krimit të  organizuar dhe korrupsionit. Më saktë, ai e kishte fjalën për largimin e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj”, – tha ai.

Më tej, Spaho shtoi se “në të njëjtën gjë e futi vendin dhe ish-ministri Saimir Tahiri. Ministri aktual ka vëllain të dënuar për trafik droge. Si në asnjë rast tjetër në asnjë vend të BE-së nuk gjen një precedent të tillë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.