Basha: Pa u larguar Fatmir Xhafaj, nuk ka hetim ndaj vëllait të tij

TIRANË, 7 qershor /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe prokuroren e Përgjithshme Arta Marku për çështjen e Agron Xhafajt dhe kërkon largimin e ministrit Xhafaj si mundësi e zbardhjes të së vërtetës.

Në një deklaratë për mediet, Basha shprehet se “largimi i Agron Xhafajt është vepër e Edi Ramës, Fatmir Xhafajt dhe Arta Markut, pa e nxjerrë me zë dhe figurë dhe pa lejuar asnjë nga mediet që ta intervistojë, pa e ballafaquar me dëshmitarët”.

“Policia ka pranuar në ilegalitet mostrat e zërit, ndërsa ekspertiza kërkon që zëri të merret në të njëjtat kushte si regjistrimi fillestar. U vunë në dispozicion të Xhafajt prokurorët e Tiranës, që nuk guxuan të kërkonin asnjë provë nëse zëri ishte i tij, në një rekord të pathyer në këto 30 vite. Brenda natës prokuroria regjistroi çështjen për kallëzim të rremë, kundër denoncuesve dhe mori në pyetje “Dëshmitarin X”, ende pa u bërë publik identiteti i tij. Prokurori vendosi që të kryejë një veprim tjetër hetimor, vendosi të caktojë ekspertët, prokurori vendosi brenda 24 orëve transferimin e çështjes në Prokurorinë  e Krimeve të Rënda. Të gjitha këto u kryen brenda 24 orëve, për një arsye të vetme, sepse të nesërmen Agron Xhafaj do të nisej në mënyrë të fshehtë ku askush nuk e mori vesh”, – tha ai.

Basha shtoi se pas kësaj prokuroria nuk ndërmori kurrë veprimet hetimore për të zbardhur të vërtetën, por u përfshi në një fushatë shantazhimi ndaj gazetarëve.

“Prokuroria nuk guxoi kurrë të verifikonte tabulatet telefonike të Agron Xhafajt, të cilat dëshmojnë nëse Xhafaj ka komunikuar me dëshmitarin Albert Veliu dhe nëse janë takuar. Kjo do të mjaftonte për të qartësuar se ky përgjim ka 2 protagonistë Veliun dhe Agron Xhafajn. Prokuroria nuk nisi kurrë hetimin pasuror ndaj vëllezërve Xhafaj edhe pse e ka për detyrë nga ligji i antimafias. Tanimë të gjithë e kemi të qartë se pse janë ndërmarrë këto veprime nga prokuroria”, – tha Basha.

Basha thekson se hetimet nuk po kryhen nga prokurorët, por nga Fatmir Xhafaj.

“Ndaj për ne është e qartë se pa larguar Fatmir Xhafajn, nuk do të ketë hetim ndaj të vëllait të tij. Nuk do të ketë e nuk mund të ketë hetim pasuror për vëllezërit Xhafaj”, – theksoi Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.