Basha: Nuk ka seancë parlamentare pa praninë e ministrit Xhafaj

TIRANË, 7 qershor /ATSH- I. Vata/ – “Kërkesa e Partisë Demokratike është e qartë dhe e kuptueshme, kjo seancë nuk mund të vazhdojë pa praninë e Edi Ramës dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për llogaridhënie”, – tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Basha konfirmoi qëndrimin e opozitës për të mos vazhduar seancat e Kuvendit, pa atë që e quan “llogaridhënie” të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, Xhafaj për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.

“Nëse nuk vijnë të japin llogari, le të largohen sot e të çlirojnë Shqipërinë nga aleanca e krimit për të hapur negociatat. Këtë shqetësim për hapjen e negociatave jua kanë shprehur fare qartë ditë më parë përfaqësuesit më të lartë gjerman”, – tha Basha.

Në vijim, Basha shtoi se ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj duhet të largohet një orë e më parë dhe Kryeministri të mbajë përgjegjësi.

“Ka katër javë që skandali i vëllezërve Xhafaj, njëri kokë e krimit dhe tjetri ministër i Brendshëm që e mbron dhe mundëson aktivitetin kriminal, ka pushtuar vëmendjen e opinionit publik dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ka katër javë që Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj i fshihen së vërtetës. Ka katër javë që ky parlament dhe kjo parti politikë, mbahen peng për të mbrojtur Fatmir Xhafajn dhe vëllain e tij”, – tha Basha.

Basha theksoi se hapja e negociatave është instrumenti i vetëm që mund të ushtrojë presion ndaj bandës së qeverisë pa ligj dhe pa Kushtetutë në këtë vend.

Basha iu drejtua Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi me kërkesën për pezullimin e seancës dhe të thërrasë Ramën dhe Xhafajn. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.