Sindikatat dhe ministritë e linjës, draft të përbashkët për statusin e minatorit

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ – Ministritë e linjës dhe sindikata e minatorëve po punojnë për një draft të përbashkët për të dakordësuar kërkesat e minatorëve.
Referuar protestës së zhvilluar gjatë ditës së sotme nga përfaqësues të sindikatave për çështjen e statusit të minatorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë sqaron opinionin publik se tanimë prej disa kohësh është funksional një grup ndër-institucional pune i përbashkët që kryesohet nga zv.ministrat përkatës, Enis Aliko dhe Dajna Sorensen.
Ky grup pune ka zhvilluar diskutime intensive me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve janë dakordësuar mes tyre për një draft të cilin ia kanë paraqitur grupit të punës.
“Fatkeqësisht, deri tani, ka dhe një pjesë përfaqësuesish sindikalë të cilët nuk kanë rënë dakord me draftin e propozuar nga pjesa kryesore e sindikalistëve. Gjejmë rastin që t’u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve sindikalë që të bëhen pjesë e diskutimeve në tryezën e grupit të punës, të bashkohen në qëndrime mbi një draft të vetëm, i cili më pas t’i nënshtrohet procedurave të përcaktuara në ligj”, citon njoftimi i Ministrisë së Financave. /e.xh/ j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.