UASHINGTON, 6 qershor /ATSH-AFP/ – Irani, që njoftoi dje fillimin e planit për rritjen e kapacitetit të tij të pasurimit të uraniumit, duhet të ndërpresë krejtësisht aktivitetet e tij, ritheksoi qeveria amerikane.
“Në fjalimin e tij mbi Iranin të mbajtur në maj, pak pas vendimit të presidentit Donald Trump për t’i mbyllur derën marrëveshjes mbi bërthamoren iraniane, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ishte i qartë. Irani duhet të ndërpresë pasurimin e tij dhe nuk duhet të kërkojë asnjëherë pluton”, deklaroi zëdhënësja e departamentit të Shtetit, Heather Nauert.
“Irani nuk duhet të jetë në gjendje që të prodhojë një armë bërthamore”, insistoi ajo para medias.
Teherani njoftoi të martën aplikimin e një plani që kërkon rritjen e kapacitetit të tij të pasurimit të uraniumit, duke rritur presionin mbi europianët që kërkojnë të shpëtojnë marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015, që synon të pengojë Iranin nga krijimi i një bombe atomike, pavarësisht tërheqjes së SHBA-së./ /G.S/ a.jor.
