RUSI 2018/ Stërling, Anglia nuk duhet të kënaqet me vendin e dytë

TIRANË, 6 qershor/ATSH-AFP/ – Asgjë më shumë sesa fitimi i Kupës së Botës muajin që vjen, nuk do të ishte e kënaqshme, pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme që ka pasur kombëtarja e “Tri Luanëve” në konkurrimet e mëparshme, theksojnë Stërling dhe Dele Ali.

Lojtarët e Gareth Sauthgate do të udhëtojnë në “bazën” e tyre në Repino në veriperëndim të Shën Petërburgut javën e ardhshme, duke kërkuar që t’i japin fund pritjes 52-vjeçare pa fituar asnjë trofe të rëndësishëm, pas atij të Kupës së Botës në vitin 1966.

Stërling ishte pjesë e grupit të Anglisë, i cili u eleminua në fazën e grupeve para katër vitesh dhe në eleminimin ndaj Islandës në Euro 2016.

Por mesfushori i kombëtares angleze kësaj here e përjashtoi mundësinë që Anglia mund të jetë e kënaqur me arritjen në çerekfinale.

“Jo, nuk do të ishte mirë për të gjithë, sepse ju doni ta fitoni atë.

Nuk kam ardhur këtu për të shpenzuar katër, pesë, gjashtë javë të jetës sime dhe të them le të shikojmë se çfarë do të ndodhë dhe duke shpresuar që të arrijmë në 16-she”, – tha Stërling për mediet.

Ndërsa mesfushori i “Totenhemit” Dele Ali, beson se “qielli është limiti” për një ekip të ri dhe të talentuar.

Ali ishte pjesë e humbjes ndaj Islandës 2 vite më parë dhe beson se skuadra ka mësuar diçka nga ajo eksperiencë e hidhur.

“Besoj se kemi mësuar shumë si lojtarë, ishte një nga momentet më të mira të karrierës sime dhe një nga më të këqijat, duke parë mënyrën se si u mbyll ajo ndeshje”, – përfundoi Ali. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.