FOTO/ Investim për furnizimin me ujë të fshatrave në Himarë

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Në Bashkinë e Himarës ka nisur puna përgatitore për projektin e furnizimit me ujë të zonave rurale. Punimet në këtë bashki janë pjesë e një projekti më të madh të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me atë gjermane, që po përgatitet për t’u zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në fazën e parë të projektit, po hartohet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e një ujësjellësi të ri që do të furnizojë me ujë qytetin e Himarës dhe fshatrat dhe të një impianti për trajtimin e ujërave të ndotura.

Këto ditë, një mision ekspertësh gjermanë së bashku me inxhinierë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit zhvilluan një seri takimesh dhe vizitash në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale të sistemit të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të ndotura në Bashkinë e Himarës dhe Bashkinë e Vlorës.

Këto vizita i paraprijnë marrëveshjes së financimit që pritet të nënshkruhet brenda këtij viti.

Ndalesa e parë e ekspertëve ishte Orikumi, si një zonë shumë e frekuentuar nga turistët, po që prej kohësh vuan mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe ende nuk ka zgjidhje për trajtimin e ujërave të ndotura.

Që prej 2015-ës ka përfunduar ndërtimi i impiantit të ujërave të ndotura, që do të trajtonte ujërat e qytezës së Orikumit dhe fshatrave Dukat, Rradhimë e Tragjas. Por, ky impiant ende nuk është vënë në funksionim. Gjatë takimeve të zhvilluara nga misioni i ekspertëve të KfW-së dhe FSHZH-së me përfaqësues të bashkisë së Orikumit dhe ndërmarrjes së Ujësjellës – Kanalizime të Vlorës u bë një vlerësim i situatës aktuale dhe u shqyrtuan mundësitë për të financuar vënien në funksion të impiantit në kuadër të programit FUZR IV.

Ekspertët takuan edhe kryetarin e bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe përfaqësues të Ujësjellës–Kanalizimeve të kësaj Bashkie, ku u diskutua investimi që pritet për ndërtimin e ujësjellësit të ri dhe të impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur të Himarës, qytet dhe fshat, si dhe të fshatrave Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jalë, Livadh dhe Qeparo.

Programi “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale IV” synon përmirësimin infrastrukturës së Ujësjellës-Kanalizimeve në bashkinë Himarë dhe zonat përreth, për të garantuar furnizim me ujë të pijshëm për popullsinë lokale dhe turistët në zonën e projektit, me kosto sociale të pranueshme dhe tarifa që i mbulojnë kostot. Projekti do t’i japë zgjidhje të qëndrueshme edhe grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotur dhe përmirësimit të kapaciteteve menaxhuese. Nga ky projekt do të ketë 50,000 përfitues të drejtpërdrejtë dhe turistë që frekuentojnë zonën. /j.prifti/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.