Paketa Fiskale 2019, Ahmetaj fton sipërmarrjen të dalë me propozime

TIRANË, 5 qershor/ATSH/.- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ftoi sot sipërmarrësit të japin propozimet e tyre për paketën fiskale 2019.

Në një letër të hapur drejtuar sipërmarrjes, Ahmetaj fton të gjithë aktorët të japin mendimet dhe propozimet e tyre për paketën e vjeshtës që do të shoqërojë ligjin e Buxhetit të Shtetit 2019, krahas disa ndryshimeve të rëndësishme në paketën aktuale, që priten të kalojnë në qershor 2018.

“Këto mendime, propozime dhe ide do të jenë në funksion të përmirësimit të legjislacionit, të përmirësimit të procedurave, në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi arritur së bashku një paketë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe të zhvillimit ekonomik”, thekson Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj shprehet se “këto ndryshime, të cilat do të jenë pjesë e paketës që finalizohet në qershor 2018 përfaqësojnë lehtësim të drejtpërdrejtë dhe ulje të ngarkesës fiskale për sipërmarrjet në disa sektorë kryesorë”.

Ai bën të ditur se “kemi propozuar shkallëzimin e normës së tatimit mbi fitimin për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë për të cilat , norma e tatimit mbi fitimin ulet me tre herë, nga 15% në 5% . Me këtë masë , rreth 90% e sipërmarrjeve përfitojnë lehtësim të ngarkesës fiskale, me tatim fitimin zero ose 5%”.

Sipas tij, sektori energjetik me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e energjisë diellore, do të përfitojë përjashtim nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makineri dhe pajisje.

Ndërsa, vijon ai, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor do të trajtohen në dy mënyra, në referencë të lehtësimit të barrës fiskale.

“Së pari në transaksion me grumbulluesit do të përfitojnë rimbursimin e TVSH-së në masën 20% dhe së dyti do të trajtohen me tatim-fitimin e reduktuar nga 15% në 5%.  Sipërmarrjet e licencuara në sektorin e agro-turizmit, do të përfitojnë gjithashtu mbështetje përmes tre korrektimeve të rëndësishme fiskale, uljen e tatim-fitimit nga 15% në 5%; normë të reduktuar të TVSH-së prej 6% për shërbimet e akomodimit, ushqimit apo veprimtarive të tjera që afrohen nga subjekti i licencuar agro-turistik dhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja me qëllim agro-turizmin”, nënvizoi Ahmetaj.

Ministri ftoi sipërmarrjen që mendimet dhe sugjerimet e saj t’i përcjellë në adresën [email protected], e cila do të jetë platforma e përbashkët e komunikimit për këtë qëllim./k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.