FUTBOLL – Gabimet e Karius në finalen Real Madrid-Liverpool, për shkak të një tronditje në tru!

BOSTON, 5 qershor /ATSH-ANSA/ – Gabimet trashanike të Loris Karius, portieri i “Liverpool”, gjatë finales së humbur me “Real Madird” në Ligën e Kampionëve kanë ardhur për shkak të një “tronditje në tru”.

Portieri i skuadrës angleze gjatë një pjese të lojës pësoi një goditje nga Sergio Ramos që, sipas mjekëve të “Massachusetts General Hospital” dhe “Spaulding Rehabilitation Hospital” i shkaktoi një “mosfunksionim të hapësirës vizive” që influencoi negativisht në performancën e tij.

Pas këtij epizodi Karius kreu një gabim të pabesueshëm duke i dhënë topin Benzema-së, që nxorri në avantazh ekipin madrilen.

Madje edhe goli i tretë ishte për shkak të një gabimi të Karius që nuk arriti dot të mbajë një goditje, jo të papërballueshme, nga distanca të kryer nga Gareth Bale.

Mjekët, që analizuan videon e lojës dhe vizituan lojtarin gjerman, dolën në përfundimin se Karius për shkak të përplasjes me Ramos ka pësuar një tronditje në tru që kushtëzoi performancën e tij. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.