Qeveria zgjidhje përfundimtare për përmbytjet në zonën e nën-Shkodrës

TIRANË, 3 Qershor/ATSH/.- Qeveria po punon për implementimin e një zgjidhje përfundimtare përsa i përket përmbytjeve në zonën e nën-Shkodrës, theksoi ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.

Në takimin me banorët e Dajçit, në kuadër të turit të Llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”, në qarkun e Shkodrës, Bushati shoqërohej edhe nga zëvëndësministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli dhe Zëvëndësministri i Bujqësisë Dhimo Koto.

Në këtë bashkëbisedim banorët e zonës thanë se problematikat e tyre janë përmbytjet, sistemi i kanalizimeve, shëndetësia dhe punësimi.

Në fjalën e tij, ministri Bushati tha se “është shumë e nevojshme që të komunikohet me banorët për ecurinë e procesit dhe hapat konkretë të ndërhyrjeve”.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Bujqësisë Dhimo Kote shtoi se po punohet për pastrimin e Bunës dhe derdhjen në det, çka mendohet se do zgjidhë përmbytjet në këtë zonë.

Zv.ministrja e Shëndetësisë Rakacolli, u shpreh se Qendra Shëndetësore në Dajç është një nga më të mirat e Shqipërisë, ndërsa shtoi se banorët e kësaj zone janë shumë të kujdesshëm në kryerjen e check-up./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.