Ulje e taksave dhe TVSH në 6% për ngritjen e pikave agroturistike

TIRANE, 2 qershor/ATSH/- Lehtësirat fiskale për agroturizmin, do të sjellin zhvillimin ekonomik lokal për zonën.

Në  takimet e llogaridhënies publike në Kutalli, dhe Poshnje të Urës Vajgurore ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi u shpreh se ngritja e pikave agroturistike duhet të shndërrohet në përparësi duke shfrytëzuar lehtësirat që ofron paketa fiskale; si ulja e taksave dhe reduktimi i TVSH-së në masën 6%.

“Ne kemi programin e agroturizmit. Ajo që duam është që në të këtë zonë të krijojmë 4-5 njësi agropërpunuese të cilat duhet të kenë mundësinë që përveç përpunimit të produkteve bio të ofrojnë edhe hoteleri, pra të jenë standardi i agroturizmit, të kenë 6-30 dhoma, të kenë 4-5 hektarë me prodhime të zonës dhe po ashtu turistët që afrohen të ushqehen me prodhimet bio të kësaj zone. Dhe këta përpunues të prodhimeve bio, do të marrin nga shteti përfitime fantastike financiare, do të kenë taksa të ulura deri në 5% dhe TVSH-në e reduktuar 6% për çdo shërbim brenda njësisë së tyre”, tha Klosi.

Ai bëri të ditur se bashkia po bën një plan për të afruar tokat që ka në posedim nëpërmjet kontratës 1 euro për këta investitorë strategjikë për komunitetin.

Duke iu referuar taksave vendore, ministri Klosi vlerësoi transparencën e bashkisë Ura Vajgurore në shpenzimin e çdo takse vendore për zhvillimin urban dhe rural të zonave në këtë bashki. “Çdo para e mbledhur nga komuniteti në kuadër të tarifave lokale konsumohet në një mënyrë transparente e cila është bërë model tashmë për të gjithë kryetarët e tjerë të bashkive.”- tha ministri Klosi.

Ndërkohë duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes, ministri Klosi reagoi ndaj denoncimit të një banori, me marrjen e masave të menjëhershme ndaj nëpunësit të korruptuar.

Kur ishim në Kutalli, një fermer ngriti shqetësimin për një punonjës të bujqësisë, i cili i kishte kërkuar ryshfet për t’i dhënë mbështetjen financiare si përfitues i skemës së granteve për qeset termike të serave dhe ne morëm shënim dhe pas një ballafaqimi që do të bëhet ditën e hënë ai nëpunës i zyrës së bujqësisë jo vetëm që do të largohet nga detyra, por edhe do të procedohet penalisht pasi nuk kemi asnjë arsye që nëpunësit e shtetit, inspektorët e cdo lloj kategorie të sillen si xhandarë.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u bëri apel të gjithë qytetarëve që të shkruajnë cdo shqetësim apo problem në platformën e bashkëqeverisjes. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.