Agjencia Telegrafike Shqiptare

UKRAINË – Babçenko: Qëllimi im ishte të jetoja

KIEV, 1 qershor /ATSH-AFP/ – Gazetari rus, Arkadi Babçenko, vrasja e rreme e të cilit ngjalli kritika të shumta, theksoi se kishte kërkuar nëpërmjet kësaj strategjie të mbijetonte përballë kërcënimeve kundër tij.

“Qëllimi im ishte të jetoja dhe të garantoja sigurinë e familjes time. Kjo ishte gjëja e parë që mendova. Standartet gazetareske ishin gjëja e fundit që mendoja atë moment”, është shprehur Babçenko në një konferencë shtypi në Kiev.

Babçenko, vrasja e të cilit u njoftua të martën në mbrëmje nga autoritetet ukrainase para se të shfaqej i gjallë para shtypit të nesërmen, ka theksuar gjithashtu se e urrente presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ky person është përgjegjës për disa luftra dhe mijëra të vdekur. Kam varrosur të afërmit e mi, kolegët e mi, miqtë e mi dhe jam lodhur duke e bërë këtë”, theksoi ai.

Gazetari dhe shkrimtari konfirmoi se operacioni i shërbimeve speciale ukrainase ishte në përgatitje që prej një muaji.

Ai konfirmoi se tashmë dëshironte të ndërtonte një jetë të re.

Pas reagimeve paraprake, vrasja e rreme e këtij reporteri kritik ndaj Kremlinit ka ngjallur pikëpyetje dhe skepticizëm tek gazetarët dhe organizatat e medias./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version