Nuk krahasohemi me të shkuarën, transformojmë shëndetësinë

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ “Çdo krahasim me shëndetësinë më parë, ku s’kishte as aspirina, as çarçafë e as derë ku të trokisje për t’u ankuar do të na nxirrte lart, por ne nuk krahasohemi me të shkuarën, por me të ardhmen. Jo me ato që kemi bërë, po me ato që do të bëjmë për ta çuar deri në fund transformimin e shëndetësisë”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. “Nëse ‘Profesori’ Petrit Vasili do të ishte i vetëm, dhe jo pjesë e një kori të shfazuar vajtojcash mbi shëndetësinë, nuk do të meritonte asnjë rresht përgjigje. Por ai meriton më shumë se një rresht. Sepse në atë kor, “Profesori” është një ndër ata që e shpunë sistemin në buzë të greminës”, – tha ajo.

Në atë kohë, tha Ministrja, porositë e biznesit të të afërmve, ai i shndërronte në urdhëra Ministri dhe kur ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, lejoi batërdinë me ilaçet e skaduara, të cilat ‘çuditërisht’ kalonin gjithmonë nga e njëjta kompani”.

“Kur ishte ministër (Vasili) u vendoste taksë të dyfishtë barnave: edhe TVSH, edhe pullë me tarifë të shtrenjtë. U diktonte infermierëve të ‘kualifikoheshin’ në Universitete të falimentuara dhe ligjshkelëse; i mbushi oborret e spitaleve në kioska qoftesh dhe pizhamash shumëngjyrëshe. Dhe sot ka vendosur të hipë edhe një herë në ‘katedër’, dhe të vërë notë për Shëndetësinë”, – vijon deklarata.

Sipas Manastirliut, “nëse do ta krahasonim shëndetësinë sot, me kohën kur vajtojcat si ‘Profesor’ Petrit Vasili e katandisën në gërmadhë, me siguri do të ishim shumë të kënaqur”. “Çdo krahasim me shëndetësinë e tyre do të na nxirrte lart, shumë lart, në çdo zë”.

“Por ne vetë të parët nuk jemi të kënaqur. Sepse krahasohemi jo me të shkuarën, por me të ardhmen. Jo me ato që kemi bërë, po me ato që do të bëjmë për ta çuar deri në fund transformimin e shëndetësisë”, – tha ajo.

Manastirliu siguroi se “do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë, me gjithë fuqinë, për ta çuar sektorin, aty ku duhet dhe ashtu siç e meritojnë qytetarët”.

“‘Profesorin’ do ta lëmë të vazhdojë të vendosë nota vajtimi, me zërin e lartë të kujt kujton se e kanë harruar çfarë bëri, kur i kishte në dorë t’i bënte, ato që sot nuk di as t’i kërkojë. Por nganjëherë do t’ia kujtojmë sidoqoftë ‘kohërat e arta’ të spitaleve, ku s’kishte as aspirina, as çarçafë e as derë ku të trokisje për t’u ankuar. Madje s’kishte as medie që kërkonin më shumë, sepse të gjithë i ishin dorëzuar fatit të të qenit në dorë të vajtojcave të korit, ku spikaste dje dhe spikat sot, ‘Profesor’ Petrit Vasili”, – përfundon deklarata për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë. /m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.