TIRANË, 1 qershor /ATSH – I. Vata/ – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi seancën dëgjimore ndaj gjyqtares së Gjykatës së Kurbinit, Marçela Shehu e cila kalon në sitën e Vetingut për anën profesionale, pasurinë dhe integritetin.
Seanca dëgjimore ndaj Marçela Shehut, nisi në orë 10:00 të së premtes, ku trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj, Olsi Komici dhe asistohej nga sekretarja Denisa Kosta.
E pranishme në seancë dëgjimore ishte vetë Marçela Shehu, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Kryetarja e trupës gjykuese i kujtoi gjyqtares së Kurbinit, Shehu të drejtën e përfaqësimit me avokat. “Në përputhje me nenin 35, 38 të Kodit të Procedurës Administrative ju keni të drejtën e një përfaqësuesi”, – tha drejtuesja e seancës Brunilda Bekteshi, e cila konstatoi se gjyqtarja Shehu është e papërfaqësuar nga avokati.
Në vijim, kryetarja e trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi e njeh subjektin e rivlerësimit, Marçela Shehun me të drejtat në seancën gjyqësore. “Kjo trupë gjykuese si dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë t’ju drejtojnë pyetje ndërsa ju, në përputhje me pikën 3 të nenit 58 të ligjit 84 të vitit 2016, keni të drejtë të refuzoni të përgjigjeni. Ju kujtojmë se i gjithë qëndrimi juaj do të merret në konsideratë gjatë këtij procesi në përputhje me nenin 48 të këtij ligji. Në zbatimi të pikës 4 të nenit 55 në të cilën zhvillohet kjo seancë trupa gjykuese ka të drejtën t’ju kufizojë të drejtën e fjalës suaj”, – theksoi Bekteshi, duke i kërkuar gjyqtares të jetë koncize në përgjigje.
Po ashtu kryetarja e trupës gjykuese vuri në dukje se, “sipas nenit 59 të ligjit 86 të vitit 2016, vendimi për konfirmimin në detyrë mund të jepet vetëm nëse subjekti i rivlerësimit plotëson të gjitha kushtet ligjore të ligjit 84 të vitit 2016, ato të kriterit të pasurisë, të vlerësimit të figurës si dhe vlerësimin etiko profesional”.
Seanca për dhënien e vendimit u caktua me 4 qershor 2018, ora 10:00.
/j.prifti/
