Agjencia Telegrafike Shqiptare

Veseli: Qytetarët e Kosovës në fund të vitit do të lëvizin pa viza

PRISHTINË, 31 Maj/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehu bindjen sot se gjatë këtij viti do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli tha se kosovarët e meritojnë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së dhe se kjo gjë do të ndodhë në fund të këtij viti.

“Presim lëvizjen e lirë të qytetarëve në fund vitit, në  dhjetor të këtij viti, do të lëvizin në shumicën e vendeve të BE-së, në mënyrë që të përçojmë mesazhin e qytetarëve tanë, se ne duam të lëvizim lirshëm se ne jemi pjesë e këtij kontinenti dhe në të njëjtën kohë ne do të respektojmë gjithë kornizën legale të vendeve të BE-së”, theksoi Veseli.

Kryeparlamentari Veseli u shpreh se “‘kosovarët nuk do të kërkojnë azil në vendet e BE-së, por ata dëshirojnë të lëvizin lirshëm për të studiuar, shkëmbyer përvojat dhe në të njëjtën kohë mallrat me vendet e BE-së”.

Sipas tij, Kosova ka ecur shumë përpara dhe liberalizimi i vizave i takon qytetarëve të vendit.

Veseli ka paralajmëruar vizitë në Austri, në Francë, Gjermani dhe vende të tjera që kanë peshë vendimmarrëse për liberalizimin e vizave. /KosovaPress/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version