SHKUP – Ende në pritje për një marrëveshje të mundshme për emrin

SHKUP, 31 maj /ATSH-MIA/ – Maqedonia nuk ka ende me Greqinë një marrëveshje për çështjen e emrit, ndërsa hapa përpara priten deri të premten, kur duhet të zhvillohet biseda e paralajmëruar telefonike mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, që duhet të shërbejë si plotësim i kornizës së arritur për zgjidhje në takimin e fundit mes shefave të diplomacive Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

“Ende nuk është arritur asgjë. Sipas ministrave Dimitrov dhe Kotzias, janë arritur parimet e marrëveshjes. Po punohet në aspektin juridik formal të vetë marrëveshjes, pason biseda mes meje dhe kryeministrit Cipras, besoj këto ditë, sonte, nesër apo deri të premten. Gjatë kësaj bisede pres të bëjmë hapa përpara, që janë shumë të rëndësishme dhe prandaj i ndjekim të gjitha spekulimet në opinion”, tha kryeministri Zaev, gjatë llogaridhënies së djeshme për punën njëvjeçare të qeverisë.

Marrëveshja do të duhet të ratifikohet në Kuvend para se të zhvillohet referendumi, i cili, sipas Zaevit, sipas të gjitha gjasave do të jetë në shtator apo tetor.

Kryeministri grek, ndërkaq, dje, vlerësoi se në sipërfaqe ka dalë perspektiva për zgjidhjen për emrin. Në fjalimin në asamblenë e përgjithshme të Federatës Greke të Ndërmarrjeve, duke folur për rolin e Greqisë si shtyllë e stabilitetit në Ballkan, Cipras si shembull përmendi “perspektivën për zgjidhje që po del në sipërfaqe në negociatat e vështira, por të domosdoshme me Maqedoninë”.

Ndërkohë, presidenti Ivanov deklaroi se nuk është e pranueshme zgjidhja për emrin ”erga omnes”.

“Qëndrimi i presidentit Ivanov është parimor dhe konsistent me qëndrimet e të gjithë presidentëve të deritanishëm të Republikës së Maqedonisë. Ky qëndrim është se presidenti Ivanov nuk pranon zgjidhje për çështjen e emrit për përdorim të përgjithshëm ose ‘erga omnes'”, tha kabineti i Ivanovit.

Sipas palës maqedonase në negociata, asnjë emër nuk është favorizuar, ndërsa për palën greke zgjidhja do të jetë me emër nga tre propozimet e ndërmjetësit të OKB-së, Nimetz “Republika Maqedonia e Re”, “Republika Maqedonia Veriore” apo “Republika Maqedonia e Epërme”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.