Shitja jashtë standardeve të sigurisë, AKU bllokon produkte bulmeti në Skrapar

TIRANË, 31 maj/ATSH/- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit gjatë një inspektimi në fshatin Backë të Skraparit ka bllokuar 95 kg produkte bulmeti, për tregtim të pasigurt të produkteve ushqimore.

Subjekti në pronësi të shtetasit Xhemal Rushani tregtonte produkte bulmeti, por nuk rezulton i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB).

Njëkohësisht ambienti në të cilin tregtohej produkti bulmet, ishte jashtë çdo standardi edhe minimal të sigurisë ushqimore, duke përbërë rrezik real e të vazhdueshëm për konsumatorin.

Mungonte dokumentacioni shoqërues për produktin si certifikata shëndetësore e lëndës së parë, analiza e ujit, apo dhe dokumentacione të tjera shoqëruese.

Për këto shkelje të rënda në bazë të legjislacionit në fuqi, inspektorët e AKU-së kanë marrë masën administrative të ndërprerjes së menjëhershme të aktivitetit, si dhe u vendos masa administrative me gjobë me vlerën 300 mijë lekë.

Për ndjekje të mëtejshme rasti i këtij subjekti do i dërgohet organeve të krimit ekonomik dhe drejtorisë së Tatimeve të qarkut Berat.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.