SHBA – Pompeo: Po ecet në drejtimin e duhur për samitin Trump-Kim

UASHINGTON, 31 maj /ATSH-AFP/ – Kreu i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo u shpreh sot se po ecet në drejtimin e duhur në bisedimet paraprake për samitin e mundshëm mes Donald Trump dhe liderit koreano-verior, Kim Jong Un.

Pas disa takimesh në Nju-Jork me krahun e djathtë të Kim Jong Un, gjeneralin Kim Yong Chol, Pompeo theksoi se kishte ende shumë pune.

Ai nuk u prononcua për datën e zhvillimit të samitit, fillimisht i planifikuar më 12 qershor në Singapor, por që u anulua brutalisht nga Donald Trump për shkak të armiqësive me Korenë e Veriut. Bisedimet rinisën shumë shpejt dhe negociatat po vijojnë në disa fronte.

“Mund t’ju them se janë arritur progrese konkrete në 72 orët e fundit për të krijuar kushtet e zhvillimit të takimit”, – theksoi Mike Pompeo.

Gjenerali koreano-verior pritet tashmë të shkojë në Uashington për t’i dorëzuar një letër të Kim Jong Un Presidentit amerikan, përfundoi Pompeo./

/v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.