PD fushatë shpifjesh ndaj qeverisë për të sabotuar integrimin

TIRANË, 31 maj/ATSH/- Në kuadër të turit të llogaridhënies publike të qeverisë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri zhvilloi takime me banorë të bashkisë së Selenicës dhe me ata të njësisë administrative Shushicë të Vlorës.

Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri tha se Komisioni Europian ka dhënë tanimë vlerësimin pozitiv për reformat e kryera nga qeveria në kuadër të plotësimit të detyrimeve të vendosura nga Bashkimi Europian ndërsa ka rekomanduar çeljen e negociatave.

“Ne jemi në një moment shumë deçiziv, shumë kyç. Shqipëria është shumë afër hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme. Jo vetëm Shqipëria hyn në një stabilitet politik, por e përkthyer në ato interesa që kanë vetë njerëzit, do të thotë më shumë financime nga Bashkimi Europian. Një shpresë e madhe dhe mundësi e madhe është që progresi i Shqipërisë në BE sjell më shumë mundësi për financime”, – u shpreh Gjiknuri.

Duke ditur këtë situatë, vijoi Gjiknuri, opozita ka nisur një fushatë shpifjesh dhe denigrimi ndaj figurave kryesore të qeverisë, me synim sabotimin e procesit të integrimit dhe mos çeljen e negociatave.

“Duke e ditur këtë, Partia Demokratike është hedhur në një sulm frontal. Duke parë se nuk kanë asnjë shpresë për të bindur qytetarët shqiptarë në alternativën e tyre, kanë filluar një fushatë shpifjesh, sulmesh denigruese ndaj qeverisë. Shkojnë dhe ankohen tek të huajt. E filluan me ish-ministrin e Brendshëm, e vazhduan me ministrin aktual të brendshëm, tani po dalin po më sulmojnë edhe mua. Pra, po të shikoni, ata njerëz sulmojnë të gjithë ministrat dhe deputetët kryesorë të Partisë Socialiste, të gjithë njerëzit që kanë një peshë elektorale, që kanë kontribuar për fitoren e PS-së”, – deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, qëllimi i Partisë Demokratike është nxirja, goditja me lloj-lloj shpifjesh.

“Kjo është thjesht për të krijuar një tymnajë, për të shpifur tek të huajt, me të vetmin qëllim që të sabotohet procesi i integrimit. Por sabotimi i këtij procesi do të thotë më pak investime për qytetarët shqiptarë”, – theksoi ai. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.