Prishtina së shpejti me qendër për arte marciale

PRISHTINË, 30 Maj/ATSH/.- Prishtina do të ketë së shpejti qendrën sportive për zhvillimin e rteve marciale.

Kjo u bë e ditur sot gjatë nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës, Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP), Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Karatesë së Kosovës.

Përmes këtij memorandumi, palët nënshkruese pajtohen që në Prishtinë të ndërtohet një qendër japoneze për Arte Marciale (Karate, Xhudo, Xhiu-Xhicu, Kendo, etj) në përputhje me standardet ndërkombëtare të konkurrencës, së bashku me krijimin e ‘Asamblesë së Arteve Marciale’ dedikuar këtyre disiplinave.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi,tha se “vendi ynë tashmë ka dëshmuar për kapacitetet, talentet e shumtë dhe sukseset në sportet dhe artet marciale, duke kulmuar me medalje olimpike, të cilën Kosova ka arritur ta fitojë në sportin e xhudos me Majlinda Kelmendin. Duke pasur parasysh talentin e të rinjve të Kosovës për sporte individuale, me theks ato luftarake, si ministri jemi të përkushtuar maksimalisht ta mbështesim dhe të përparojë më tej kjo fushë”.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Ulrika Richardson, theksoi se “përmes kësaj ceremonie po mundësojmë ndërtimin e një qendre, e cila promovon artet marciale”. “Të rinjtë kosovarë kanë korrur shumë suksese në këto sporte”, tha ajo.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, u shpreh se “komuna shumë shpejt do të nis procedurat për realizimin e këtij projekti, i cili është i mirëpritur për të rinjtë e Prishtinës”.

Ndërsa Besim Hasani, kryetar i KOK-ut tha se infrastruktura është ndër faktorët kryesorë për suksese në sport. Ne i mbështesim projektet që kanë karakter për përfshirjen e të gjithëve pa dallim”.

Ismet Krasniqi, kryetar i FKK-së, e konsideroi ngritjen e kësaj qendre si një moment historik për artet marciale në Kosovë.

Këto sporte luftarake kanë nevojë për hapësira të tilla të mëdha dhe pas ndërtimit të këtij kompleksi sportiv do të kemi mundësinë të organizojmë kampionate europiane dhe botërore. Kjo sallë parashikohet të ketë 5000 vende dhe do të jetë e stilit të vjetër japonez”, tha Krasniqi./KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.