Instituti Italian i Kulturës do të shtrihet edhe në Prishtinë

PRISHTINË, 30 Maj/ATSH/.- Ministri Kujtim Gashi priti sot në një takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi me të cilin diskutoi për shtrirjen e Institutit Italian të Kulturës edhe në Kosovë dhe për organizimin e një koncerti që do të mbahet më 4 qershor për nder të kompozitorit Gioachino Rossini, në 150 vjetorin e vdekjes së tij.

Gashi e njohu ambasadorin italian për paraqitjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke e informuar për numrin e madh të vizitorëve që kishte Pavijoni i Kosovës dhe me këtë rast e falënderoi ambasadorin Sardi edhe për ndihmën e ofruar nga ambasada e Italisë.

Ministri Gashi tha se bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Ambasadës së Italisë është shumë i mirë dhe për t’u vlerësuar.

“Të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet e përbashkëta që kemi realizuar kanë treguar për një vullnet dhe frymë bashkëpunimi dhe gjithmonë në interes të kulturës”, tha ministri Gashi.

Ambasadori Sardi tha se e mbështesim Kosovën për të qenë e pranishme në ngjarjet e rëndësishme ndërkombëtare dhe pjesëmarrja e Kosovës në Bienale tregon se jemi në rrugë të mbarë.

Sardi e njohu ministrin Gashi se pas takimit të mëhershëm kur është diskutuar për shtrirjen e Institutit të Kulturës Italiane edhe në Kosovë, si ambasadë e kanë parashtruar kërkesën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe ajo është miratuar. Ambasada e ka njoftuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ambasadori kërkoi nga ministri që të formalizohet kjo nismë dhe shtrirja e Institutit të Kulturës Italiane që ndodhet në Tiranë të bëhet realitet edhe në Kosovë, gjë e cila do të mundësonte që ngjarjet kulturore që mbahen në Tiranë, të shtrihen edhe në Prishtinë.

Ministri Gashi tha se plotësisht është i gatshëm për të filluar procedurat për zyrtarizimin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor edhe në Kosovë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.