Gjonaj për shtypin holandez: Jemi europianë. I takojmë kësaj familje

TIRANË, 30 maj/ATSH/ – Brenda katër javësh krerët e vendeve anëtare do të vendosin për hapjen e mundshme të negociatave me Shqipërinë. Një drejtësi e pavarur është një kusht i rëndësishëm, por reformat janë duke ecur sipas planit, tha ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një intervistë për shtypin holandez.

“Shqipëria është duke bërë më të mirën e saj. Ajo nisi tre vjet më parë një reformë tërësore në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë u zbatua me ndihmën e disa avokatëve të mirënjohur europianë, përfshi edhe holandezë”, shkruan Het Financieele Dagblad.

“Bashkëpunimi i thellë midis dy vendeve tona po hyn në vitin e tij të katërt”, – thotë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Javën e kaluar, ajo nënshkroi një deklaratë të përbashkët në Hagë me homologun e saj, Ferdinand Grapperhaus, me qëllim rritjen e bashkëpunimit kundër krimit të organizuar.

Ministrja Gjonaj vizitoi gjithashtu Roterdamin, ku u takua me kryebashkiakun Ahmed Aboutaleb dhe me autoritetet hetimore europiane, “Europol” dhe “Eurojust”, për t’u koordinuar për luftën kundër krimit të organizuar. Sipas Gjonajt, është e qartë që sistemi i vjetër ligjor në Shqipëri nuk ishte i duhuri.

Jo vetëm gjyqtarët, por edhe organet hetimore, “ishin të korruptuar”, thotë ajo. Për këtë arsye, qeveria aktuale është angazhuar “në një proces të plotë pastrimi”. Thelbi i këtyre ndryshimeve qëndron në kufizimin e influencës së politikanëve në sistemin e drejtësisë. Shqipëria ka ngritur institucione të reja dhe ka miratuar ligje të reja, mbi bazën e të cilave të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit po kalojnë në një proces verifikimi, të quajtur Vetting. Në këto komisione verifikohet nëse ata kanë vepruar me integritet dhe profesionalizëm.

I gjithë kjo proces kryhet nën mbikqyrjen e institucioneve të reja, të përbëra nga gjykatës dhe prokurorë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, përfshi edhe nga Holanda.

Gjonaj e quan këtë proces reformën më drastike dhe koherente të ndërmarrë ndonjëherë nga një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. “Ajo që po bëjmë ne është një proces unik, i mbështetur në Kushtetutë”, – shprehet ministrja.

24 gjykatës janë larguar ose janë pushuar që prej nisjes së këtij procesi. Sipas saj, edhe më shumë do të largohen, tani që periudha paraprake e vlerësimit ka mbaruar dhe po nis me shpejtësi procesi i vetingut nga ana e komisioneve përkatëse.

“Ndonëse sipas disa kritikëve ky aksion pastrimi është duke u treguar i butë me gjyqtarët e korruptuar, Komisioni Europian ka mbetur aq i impresionuar sa që i ka propozuar vendeve anëtare që të çelin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë (dhe Maqedoninë). Vendet e BE-së duhet të marrin një vendim deri në fund të qershorit. Holanda, por edhe Gjermania, Franca, Belgjika dhe Luksemburgu kanë dyshime të mëdha për këtë. Qeveria holandeze beson se Shqipëria së pari duhet të provojë se është në rrugën e duhur. Numri i dënimeve për krimet e rënda është ende i ulët, sipas një raporti të fundit të publikuar në Parlament (holandez)”, shkruan Het Financieele Dagblad.

Gjonaj u përpoq gjatë vizitës së saj të bindte politikanët holandezë që të mbështesin hapjen e bisedimeve, me argumentin se hapja e negociatave do të udhëheqë Shqipërinë në rrugën e duhur. “Ne nuk po kërkojmë që të bëhemi anëtarë menjëherë. Ne jemi të gatshëm për bisedime, por na duhet ende shumë punë deri në arritjen e anëtarësimit të plotë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që kemi një rrugë të gjatë përpara dhe se reforma të tjera duhet të ndërmerren përpara se të jemi gati”, – thekson ministrja e Drejtësisë.

Në intervistën e saj, Gjonaj këmbëngul se bisedimet do të motivonin Shqipërinë për të vijuar më tej në rrugën e reformave. “Është një formë kontrolli. Në fund të fundit, me hapjen e negociatave do të marrim edhe më shumë detyra nga ana e BE-së. Kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë. Para së gjithash, duhet t’i japim qytetarëve tanë shpresë dhe besim tek e ardhmja europiane. Hapja e negociatave do të përmirësonte ndjeshëm gjithashtu klimën e biznesit, duke rritur punësimin në vend”, – vijon Gjonaj.

Sipas saj, ecja përpara në procesin e integrimit është një e mirë për të gjithë Bashkimin Europian: “Negociatat do të stabilizojnë Shqipërinë dhe rajonin, do të zvogëlojnë krimin ndërkufitar dhe emigrimin ilegal. Numri i aplikimeve për azil nga shqiptarët në Holandë ka rënë tashmë dhe kjo si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve të dy vendeve tona. Por, ne jemi europianë. Ne i përkasim familjes europiane. Mund të na duhet ende pak kohë, por në fund do të jemi edhe ne anëtarë të BE-së”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.