“Don Kishoti” përfaqësimi shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Kukullave

TIRANË, 30 maj /ATSH/ – Shfaqja “Don Kishoti” me regji nga Klajd Ymeri është përfaqësimi shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Kukullave. Në kuadër të festivali vepra teatrore u shfaq mbrëmë në skenën e Teatrit Metropol.

Vepra e njohur e Servantesit vihet për herë të parë në skenë nëpërmjet kukullave, një eksperiencë e re për teatrin, e sjellë nga regjisori Klajd Ymeri.

“Don Kishoti” është konceptuar jo si një teatër tradicional kukullash, por në pjesën më të madhe të shfaqjes ato komunikojnë si të ishin aktorë real. Rrëfenjat janë ndërthurur në një bosht të vetëm në marrëdhënien midis dy personazheve kryesor, Don Kishotit dhe Sanços, në ndërthurje me të gjithë personazhet e tjerë në të pesë ngjarjet e kësaj komedie.

Në këtë edicion të parë, i cili nisi në datën 27 maj deri në 1 qershor do të marrin pjesë pesë shtete, si Kina, Spanja, Turqia, Rumani dhe Shqipëria, të cilat përfaqësohen me vepra të ndryshme teatrore, të vlerësuara me çmime ndërkombëtare. Festivali mbahet në ambientet e Teatrit Metropol gjatë paradites, ndërkohë një tjetër për orët e mbrëmjes, shfaqjet do të jepen në sheshin “Skënderbej”.

Janë pesë net festivali, ky çdo natë i kushtohet një shteti. Ndërsa dita përmbyllëse e festivalit do të mbahet me një ekspozitë etnografike me punë nga autorë të ndryshëm nga trevat shqipfolëse në Muzeun Kombëtar./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.