Shqipëri-Kosovë, miqësore sonte në Zyrih

TIRANË, 29 Maj/ATSH/ – Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet mbrëmjen e sotme në një miqësore me përfaqësuesen e Kosovës.

Pas ndeshjes së 13 nëntorit të vitit 2015 që u zhvillua në Prishtinë Shqipëria dhe Kosova do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës.

Ndeshja do të luhet në Zyrih të Zvicrës, aty ku stadiumi i Letzingrund në orën 20:00 pritet të jetë i tejmbushur teksa janë shitur mbi 11 mijë bileta.

Ky është testi i parë për Kombëtaren e drejtuar nga trajneri italian Christian Panucci për Ligën e Kombeve që do të nisë në shtator ku kuqezinjtë kanë në grup në Ligën C, Skocinë dhe Izraelin.

Në formacionin e Shqipërisë priten risi të shumta teksa panucci ak grumbulluar disa lojtarë të rinj. Në portë pritet të jetë i përhershmi Berisha. Në mbrojtje pritet të luajë Hysaj në të djathtë, Xhimshitin dhe Veselin në qëndër dhe Bujar Lika i majtë, në debutimin e këtij të fundit si titullar.

Mesfusha do të përbëhet nga tre lojtarë shumë të rinj në moshë si Ramadani, Qaka dhe Ndoj, të cilët do të duhet të mbulojnë mungesat e Xhaka e Abrashi për shkak dëmtimi. Për mesfushorin e Brescias Ndoj ky ndaj Kosovës do të jetë një debutim absolut me kombëtaren A. Në sulm përveç Roshit e Cikalleshit do të ketë vend edhe për Sindrit Gurin, i cili grumbullohet për herë të parë nga kuqezinjtë.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.