Strukturë amerikano-gjermane për luftën ndaj krimit ekonomik, së shpejti rezultate konkrete

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155839805991523/

TIRANË, 28 maj/ATSH-Maela Marini/ – Marrëveshja e nënshkruar sot mes strukturave të shtetit shqiptar dhe ERNST & Young Gmbh, një ndër kompanitë lidere në botë kundër krimit ekonomik, forcon më shumë pozicionin e Shqipërisë në luftën kundër krimit në tërësi dhe krimit ekonomik dhe fshehjes së të ardhurave në veçanti.

Kështu deklaroi të hënën, Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me kompaninë gjermano-amerikane “ERNST & Young” Gmbh.

Përtej emrit të madh të njohur botërisht, sipas Kryeministrit, vlera e kësaj skuadre që vjen në Shqipëri për të punuar me agjencitë tona kundër krimit ekonomik dhe evazionit, qëndron në faktin se së pari është një skuadër gjermano-amerikane me dy drejtues me eksperiencë të njohur botërisht.

“Njëri njihet si ndër drejtuesit e FBI-së dhe i dyti me një eksperiencë të vyer si pjesë edhe pastaj si një person që ka mbuluar pozicione drejtuese në strukturat e shtetit gjerman kundër krimit ekonomik”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo nuk është një marrëveshje konsulence, por veprimtarie të përbashkët në terren, pasi një ekip i gjerë gjermano-amerikan ekspertësh do të vendoset në Shqipëri dhe do të punojë ngushtësisht me strukturat e hetimit tatimor e doganor të Ministrisë së Financave dhe me strukturat e krimit ekonomik të Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit”.

Kjo, tha Rama, do të mundësojë çeljen e një procesi pune të përbashkët me metodologji bashkëkohore dhe rritjen e kapaciteteve të këtyre agjencive në goditjen e një fenomeni me të cilin është koha të merremi thellësisht, pasi kemi shënuar rezultate të rëndësishme.

Duke nënvizuar rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën për identifikimin dhe pastaj ngrirjen e aseteve financiare të krimit, Rama tha se në 4 vitet e fundit janë shënuar rezultate me shifra 5-fish më shumë, krahasuar me 8 vite të qeverisë së mëparshme.

“Kjo mjafton për të kuptuar se sa shumë progres është bërë, por edhe se sa shumë mund të bëhet në këtë proces. Operacioni Forca e Ligjit është shembull kuptimplotë i faktit se përtej punës së përditshme të policisë, adresimi në mënyrë prioritare i një fenomeni problematik për shoqërinë siç është goditja e rrjeteve të krimit të organizuar, kërkon një ndërveprim dhe koordinim mes shumë strukturash. Nuk mjafton vetëm struktura që është e angazhuar në rutinën e përditshme”, – tha Rama.

Për nga përmasat dhe rrezja e veprimit, Rama tha se, kjo strukturë e re që do të krijohet është shumë e vogël, por për nga synimet dhe përmbajtja është një model i bazuar te eksperienca më e mirë ndërkombëtare.

Rama nënvizoi rëndësinë e burimeve të brendshme njerëzore të agjencive që bëjnë këtë punë dhe dosmosdoshmërinë që agjencitë tona të koordinojnë dhe ndërveprojnë me njëra- tjetrën.

Kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit, korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së së të ardhurave, Rama tha se “… problemi i punës së pakoordinuar mes të gjitha agjencive del më shumë në dukje”.

“Besoj se eksperienca që sjellin partnerët tanë do të jetë një vlerë e madhe e shtuar. Qëllimi nuk është thjesht për të marrë këshilla, por të punojmë së bashku në terren me raste specifike që do të krijojnë modele të ndryshme të investigimit për krimin ekonomik dhe fshehjen e të ardhurave dhe të krijojmë kushtet që hap pas hapi të kemi një strukturë ndërveprimi shumë më të kualifikuar dhe eficiente”, – shtoi Rama.

Rama theksoi se në luftën kundër krimit ekonomik është bërë shumë, por duhet bërë shumë më tepër. “Ka ende shumë para që i takojnë njerëzve dhe vendit dhe janë aty ku nuk duhet të jenë, ose në duart e krimit, ose në duart e atyre që kanë fshehur të ardhura që ligjërisht i takojnë shtetit”, – tha Rama, duke shprehur bindjen se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete për të ndarë me publikun.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.