Qeveria e Kosovës mbështetje për zhvillimin ekonomik të Prizrenit

PRISHTINË, 28 Maj/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot komunën e Prizrenit, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Mytaher Haskuka, për të mësuar nga afër gjendjen reale dhe për të parë se cilat janë detyrat e qeverisë së Kosovës për zhvillimin e mëtejshëm të këtij qyteti.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se “duhen hequr pengesat që kjo komunë të kalojë në një plan urbanistik dhe zhvillimor dhe njëkohësisht duhet dhënë përkrahja për t’i pasur në shfrytëzim hapësirat për një park industrial”.

 “Jemi optimist se do të jetë nxitje për një zhvillim ekonomik dhe jemi të gatshëm që të ecim në etapa të tjera me parkun industrial, zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe që t’i mundësohet komunës që të ecë përpara”, nënvizoi Hardinaj.

Kreu i qeverisë u shpreh se gjatë takimit me kryetarin Haskuka diskutuan për shumë tema që duhen trajtuar me seriozitetin më të lartë si, arsimi, shëndetësia, rendi, ku specifikoi çështjen e narkotikëve dhe shpërndarjen e tyre nëpër shkolla.

“E sigurova kryetarin Haskuka që qeveria e vendit, pa asnjë hezitim do t’i kryejë ato që janë punë të qeverisë”, tha Haradinaj.

 Nga ana e tij, kryetari Haskuka, pasi falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Komunën e Prizrenit, përmendi disa sfida si, parkingjet për makinat, mungesën e ujit të pijshëm në disa zona dhe ndërtimin e institucioneve parashkollore, për të cilat mori premtimin e kryeministrit Haradinaj për mbështetje.

Vizita në Komunën e Prizrenit nga ana e kryeministrit Haradinaj po bëhet në kuadër të vendosjes së një bashkëpunimi dinamik mes qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, për t’i ndihmuar zhvillimit, axhendë kjo e kryeministrit Haradinaj./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.